Sindikatat në Kosovë asesi nuk do të pranojnë ligjin e Pagave nëse vlera e një koeficienti do të jetë nën 120 euro.
Madje, as 120.
E, nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë sindikatat kanë paralajmëruar greva dhe protesta, shkruan Front Online.
Që nga dita kur edhe është miratuar Ligji i Pagave, nga Qeveria nuk kanë treguar se sa do të jetë vlera e një koeficientit, ani pse kanë deklaruar që i njëjti pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi ka thënë për Front Online, se është absurde të bëhet një ligj i tillë e të mos dihet vlera e koeficientit.
Thotë se nëse vlera e koeficientit do të jetë përsëri e njëjtë do të jetë një e keqe e madhe për zyrtarët publik.
“Nëse, do të jetë 120 atëherë do të jetë një e keqe e madhe që do t’i prek gjithë zyrtarët publik duke marrë parasysh që inflacioni vetëm është duke u rritë dhe atëherë definitivisht çka kemi bë. Thjesht kjo Qeveri i ka mashtruar të punësuarit, rrjedhimisht edhe qytetarët duke proklamuar që do të ketë zhvillim, do të ketë mirëqenie, do të ketë rritje të pagave, atëherë do të kemi pagën këtë që e kemi, e që realisht kjo mund të konsiderohet ndihmë sociale”, ka thënë Gashi për Front Online.
I pyetur se cilat do të jen veprimet e tyre në rast se vlera mund të jetë më e vogël se 120, Gashi ka thënë se nuk i përjashtojnë veprimet sindikale që janë grevat e protestat.
“Ne nuk mund të krijojmë tjera veprime pos atyre që janë të parapame me ligj e rrjedhimisht edhe grevën. Unë dua me besua e me uru që Qeveria të jetë e kujdesshme pasi që ka krijuar pritje, në rast se do të jetë ndryshe, besoni se edhe sindikatat nuk do të mund ta kryejnë më rolin e tyre ashtu siç duhet, pasi refleksionet mund të jenë edhe më të mëdha dhe do të jenë veprime edhe jashtë sindikale për arsye se një numër i madh i njerëzve me vite të tëra e presin këtë ligj dhe nëse janë të mashtruar atëherë frustrimi i tyre mund të del edhe jashtë pritjeve që ne mund t’i kemi parasysh”, ka shtuar Gashi.
Berisha: Kërkojmë që një koeficient të ketë vlerën 132 euro, jo 120
Vlerën e koeficientit prej 120 euro nuk do ta pranojnë as nga Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së.
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, Përparim Berisha, kryetar i kësaj sindikate.
“Sa i përket asaj se nëse ndodhë me qenë nën 120 euro ne nuk do ta pranojmë në asnjë formë për shkak se pagat e infermierëve nuk do të rriten ose do të rriten shumë pak”, është shprehur Berisha.
Ai, thotë se kanë kërkuar që vlera e një koeficienti të jetë 132 euro.
“Ne si sindikatë para 5 dite kemi kërkuar nga Qeveria që vlera të jetë 50% e vlerës së pagës minimale që pritet të bëhet, dhe ne kemi kërkuar që vlera e një koeficienti të jetë 132 euro”, ka thënë ai.
As Berisha, nuk i ka përjashtuar grevat e protestat nëse vlera e koeficientit nuk do të ndryshojë dhe do të mbetet 120 euro.
“Sigurisht, se ne prej fillimit i kemi dhënë hapësirë dialogut social, fillimisht do të fillojmë me një protestë dhe pastaj ndoshta edhe me greva sepse ju e keni parë që vitin e kaluar kanë ikë 633 punëtorë shëndetësor, ndërsa në përgatitje për me ik janë edhe mbi 2500 të tjerë gjatë vitit 2023 dhe me këtë ikje unë nuk e di se a do të mund të bëjmë greva ose protestë sepse s’ka kush ti bëjë ato, sepse më nuk do të ketë interesim të punohet as në sektorin publik e as në atë privat”, ka shtuar ai.
Zeqiri: Nëse vlera e një koeficienti do të jetë më e vogël se 120 euro nuk do ta pranojmë
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë për Front Online se nuk kanë njohur se sa do të jetë vlera e një koeficienti në Ligjin e Pagave.
“Vlerën e koeficientit nuk e dimë, nuk e kanë dhënë, versione e supozime të ndryshme ka që qarkullojnë, por në realitet për mua asnjëra nuk është e saktë, derisa nuk del zyrtarisht ministri i Financave apo Qeveria që të deklarohet se sa është saktë koeficienti”, ka thënë ai, për Front Online.
Sipas tij, nëse vlera e një koeficienti do të jetë më e vogël se 120 euro nuk do ta pranojnë.
“Sigurisht që do të ankohemi, nëse ajo është nën një vlerë po supozojmë 100 apo nën 100 euro është e papranueshme për shkak se tek ne nuk do të ketë rritje të pagave, përkundrazi do të ketë zbritje në shumicën e gradave”, është shprehur Zeqiri, për Front Online.
Kuvendi i Kosovës më 22 dhjetor të vitit të kaluar ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për pagat në sektorin publik.
Ky ligj zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani sot ka dekretuar Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarët Publik./Front Online