×
  • Lajme
  • Lajme

    Sindikata e KEK-ut me ultimatum për menaxhmetin dhe Bordin/ Keni afat deri sot, pastaj…

    FrontOnline
    08 Nëntor 2024

    Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar javën e kaluar  duke kërkuar rritjen e pagave të punëtorëve.

    Kërkesë tjetër e tyre ka qenë pagesa e rrezikshmërisë për ata që punojnë në kushte të vështira dhe pagesën e fundjavës për punëtorët me ndërrime.

    “Duam ngritjen e pagave, dhe ne e duam jetën”.

    “Menaxhment, respekto Ligjin e Punës, paguaj vikendet për punëtorët me ndërrime”, ishin disa nga shkrimet në pankartat që protestuesit i mbanin në dorë.

    Ani pse këta të fundit kanë protestuar kërkesat e tyre nuk u janë plotësuar dhe Sindikata e Re e KEK-ut ka vendosur që të presin deri sot t’u plotësohen kërkesat e tyre të cilat i kanë parashtruar në protestën e tyre të 24 tetorit

    “Sindikata e Re e KEK-ut u bën thirrje Menaxhmentit dhe Bordit të Drejtorëve të reflektojnë dhe të përmbushin kërkesat tona legjitime brenda datës 08.11.2024. Nëse kërkesat tona nuk përmbushen brenda afatit të caktuar, ne do të ndërmarrim hapa të tjerë, sipas Statutit Sindikal, Ligjit për Organizim Sindikal dhe Ligjit për Greva”, thuhet në njoftimin e Sindikatës

     

    Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut: Nëse nuk plotësohen kërkesat tona do të vazhdojmë me protesta dhe greva deri në plotësimin e tyre

    Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, është deklaruar për  FrontOnline lidhur me situatën aktuale të punëtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës.

    Ai theksoi se, pas protestës së fundit, nuk ka pasur asnjë takim me menaxhmentin për të diskutuar kërkesat e sindikatës. Llumnica njoftoi se sindikata vendosi të presë deri sot për të krijuar mundësi dialogu dhe për të diskutuar situatën më tej.

    ‘’Deri më tani nuk kemi pasur takime përveç para protestës që e kemi pasur, pas protestës nuk kemi pasur takime

    Ne dje në takimin e Kryesisë së  sindikatës së re t KEK-ut kemi marrë vendim që të presim deri sot me qëllim që të krijojmë mundësi dialogimi edhe më tutje, pas 5 nëntorit do të marrim vendim në bazë të statutit sindikal dhe ligjit për greva, ligjit për organizim sindikal me qëllim të realizimit të kërkesave tona’’, tha Llumnica për FrontOnline

    Ai shprehu shqetësimin e tij për pagat e ulëta të punëtorëve, duke theksuar se paga e një mjeshtri elektrik është vetëm 676 euro, ndërsa në sektorin privat pagat arrijnë deri në 1,200 euro. Kjo, sipas tij, ka kontribuar në ikjen e kuadrove nga vendi i punës.

    ‘’Paga e punëtorit të KEK-ut është më e ulëta në Kosovë bazuar në tregun e punës , nuk po flasim për ata që marrin paga prej nesh pra prej kontributit tonë dhe të qeverisë së Republikë së Kosovës mirëpo po flasim për tregun  e punës që një mjeshtër elektrik ka 676 euro pagë e në privat mund t sillet 1100-1200 euro pagë kështu që njerëzit tek ne kanë filluar kuadrot të ikin nga vendi i punës’’, tha Llumnica.

    Llumnica gjithashtu theksoi rrezikun e lartë që përballen punëtorët e KEK-ut, duke përmendur se çdo vit, rreth 30 punëtorë humbin jetën për shkak të kushteve të rrezikshme të punës. Ai nënvizoi se rrezikshmëria nuk po paguhet siç duhet, ndërsa përmendi premtimet e Bordit të KEK-ut për vlerësimin e rrezikshmërisë që nuk janë realizuar asnjëherë.

    Një tjetër çështje e rëndësishme është pagesa e fundjavat për punëtorët me ndërrime, e cila është fituar në gjykata, por që KEK-u ende nuk e zbaton. Llumnica e konsideroi këtë si një shkelje të ligjit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Ai përmendi se sindikata është e gatshme të veprojë në përputhje me statutin sindikal dhe ligjin për greva. Pas 8 nëntorit, sindikata do të vendosë për hapat e ardhshëm, duke përfshirë mundësinë e protestave ose grevave nëse kërkesat e punëtorëve nuk plotësohen.

    ‘’ Pas ditws sw sotme do të marrim vendime varësisht nga disponimit të punëtorëve dhe përfaqësuesve sindikalë ka mundësi proteste apo greve, nëse realizohen kërkesat tona është në rregull po nëse nuk plotësohen ne do të vazhdojmë me protesta dhe greva deri në plotësimin e tyre’’, përfundoi Llumnica.

     

    Deputetja e LDK-së: Qeveria e ka prioritet korrupsionin në KEK, jo përmirësimin e kushteve të punëtorëve

    Anëtarja në Komisionin për Ekonomi nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi është deklaruar  lidhur me situatën në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

    Ajo  fillimisht tha  se janë identifikuar dyshime për keqpërdorime në menaxhimin e kompanisë, veçanërisht pas arrestimit të ish-drejtorit, Nagip Krasniqi, një ngjarje që ka shkaktuar shqetësime të mëdha për transparencën në KEK.

    Bunjaku Rexhepi kritikoi ashpër qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se kjo qeveri nuk po i jep prioritet kërkesave të punëtorëve të KEK-ut.

    ‘’ Është e ditur që në KEK ka dyshime për keqpërdorime, me arrestimin e ish- shefit Nagip Krasniqit dhe normalisht që kjo qeveri kërkesat  punëtorëve të KEK-ut nuk i ka prioritet’’, tha deputetja për FrontOnline

    Ajo akuzoi qeverinë se është më e interesuar për të mbrojtur korrupsionin dhe për të siguruar interesat e veta, sesa për të adresuar shqetësimet legjitime të punëtorëve. Ajo shprehu bindjen se këto katër vite qeverisje kanë sjellë dëm të konsiderueshëm për Kosovën, duke paralajmëruar se nëse situata vazhdon në këtë drejtim, pasojat do të jenë të rënda, duke e përshkruar si një humbje që do të shndërrohet në dhjetë vjet.

    Deputetja përfundoi duke thënë se kërkesat e punëtorëve për kushte më të mira pune dhe paga të dinjitetshme janë të arsyeshme dhe të domosdoshme

    ‘’ Nuk pres që kjo qeveri të realizojë kërkesat e punëtorëve të KEK-ut edhe pse ato kërkesa janë legjitime dhe t arsyeshme’’, përfundoi Bunjaku-Rexhepi.

     

    Kryetari i Komisionit për Ekonomi: Në KEK kemi një menaxhment krejtësisht politik e jo profesional

    Ferat Shala, Kryetari i Komisionit për Ekonomi, është deklaruar për gjendjen e sektorit energjetik në Kosovë, duke e cilësuar atë si jashtëzakonisht delikate dhe keq menaxhuar nga institucionet vendore.

    Ai theksoi se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) menaxhimi aktual është krejtësisht politik dhe jo profesional, me një numër të madh të udhëheqësve që ushtrojnë detyrën përkohësisht.

    ‘’ Me theks të veçantë në Korporatën Energjetike kemi pasur dhe kemi aktualisht një menaxhment krejtësisht politik e jo profesional ku pjesa dërrmuese udhëhiqen nga ushtrues detyre’’, tha Kryetari i Komisionit për Ekonomi, njëherit deputet i PDK-së, Ferat Shala.

    Shala përmendi gjithashtu aferat  korruptive në KEK duke vënë në dukje që kërkesat e punëtorëve dhe të ndërmarrësve janë të drejta dhe legjitime.

     

    Deputeti i AAK-së: Qeveria “Kurti” ka neglizhuar dhe nuk ka përkrahur që 4 vite kërkesat e KEK-ut

    Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)  ,ka shprehur mbështetje për kërkesat e sindikatës së KEK-ut, duke theksuar se ato janë të drejta dhe të arsyeshme. Ai theksoi se punëtorët e KEK-ut janë në një gjendje të mjerueshme për sa i përket kushteve të punës, veshmbathjeve, pagave dhe mëditjeve.

    ‘’ Sindikata e KEK-ut ka kërkesa të drejta që iu janë drejtuar menaxhmentit të Institucionit të tyre, ministrisë përkatëse dhe Qeverisë Kurti. Punëtorët e KEK-ut ka vite që janë në gjendje të mjerueshme sa i përket kushteve të punës, veshë mbathjeve, pagave, dhe mëditjeve’’, tha Lekaj për FrontOnline.

    Lekaj kritikoi qeverinë e Albin Kurtit për neglizhencën e saj ndaj këtyre kërkesave për katër vite, duke e quajtur këtë një dështim të qeverisë në raport me institucionin më të rëndësishëm të vendit. Ai paralajmëroi se situata mund të bëhet shqetësuese, pasi punëtorët mund të revoltohen dhe sektori i prodhimit mund të përballet me kolaps.

    ‘’ Qeveria Kurti ka neglizhuar dhe nuk ka përkrahur që 4 vite kërkesat e tyre të drejta dhe të nevojshme. Është dështim i këtij pushteti në raport me KEK-un, ku la pa mbështetje institucionin më të rëndësishëm të vendit. Problemi bëhet për shqetësim, sepse në çdo moment mund të revoltohen këta punëtorë, dhe sektori i prodhimit mund të dalë në kolaps e jashtë prodhimit’’, tha Lekaj.

     

     

     

    Nga Rubrika
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, me ç’rast theksoi se përfaqësimi ndërkombëtar...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në një intervistë u shpreh i bindur se ndryshimi politik do të ndodh më 8...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Policia e Kosovës arrestoi dy zyrtarë të Komunës së Graçanicës nën akuzat për keqpërdorim të detyrës dhe marrje ryshfeti, pasi dyshohet se...
    Të tjera
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Idriz Vehapi kandidat për deputet në Kuvendin Kosovës nga radhët e PDK-së, ka njoftuar për takimin e radhës. Përmes një shkrimi në...
    Vip26 Dhjetor 2024
    Gili dhe Redoni, nënë e bir, që u futën në edicionin e katërt të “Big Brother Vip Albania” si një banor i...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Ky afat, i hapur në fund të gushtit, u shty deri më 26...
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës....
    Vip26 Dhjetor 2024
    Drenusha nuk e ka lë Gjestin që të fle. Ajo i shkoi atij te shtrati me tigan në dorë, duke i kërcitur....
    Lajme26 Dhjetor 2024
    Së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi studentë bursistë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.