Temperatura, vjedhja e barkëqitja, janë vetëm disa nga simptomat e gripit sezonal që paraqiten te pacientët.
Këto simptoma janë të njëjta edhe për virusin Covid-19.
Doktoresha familjare, Ilire Bunjaku ka thënë për Front Online se qytetarët me grip sezonal kanë simptomat e njëjta vit pas viti.
“Simptomat e tyre janë zakonisht rrjedhje të hundëve, dhimbje të fytit, plogështi e dhembje të muskujve. Ata kanë edhe simptoma shoqëruese me barkëqitje, vjedhje, temperaturë. Do të thotë është një simptomatologji që e karakterizon çdo vit gripin sezonal”, ka thënë ajo.
Ndërsa, sipas saj, personat më të rrezikuar nga gripi sezonal janë personat me sëmundje kronike, personat me sëmundje të zemrës, fëmijët e gratë shtatzëna.
“Personat më të rrezikuar janë fëmijët nën 5 vjeç, gratë shtatzëna, personat të cilët kanë imunitet më të dobët, personat me sëmundje kronike, me sëmundje të zemrës, mushkërive, veshkave dhe me sëmundje metabolike”, ka thënë ajo.
Bunjaku ka këshilluar qytetarët që sa më shumë të mbajnë higjienën personale e të mos frekuentojnë vendet e mbyllura.
“Nuk e kemi një grip që vetëm tani paraqitet, por e kemi edhe viteve tjera, pra duhet sa më tepër higjiena personale, larja më e shpeshtë e duarve me sapunë apo dezinfektues, e cila mund të zgjat 20 sekonda. Kollitja e teshtitja të bëhet nëpër faculeta dhe ajo faculetë të hedhet në mbeturina. Të mos frekuentohen ambientet e mbyllura dhe të bëhet ajrosja më e shpeshtë e ambientit”, ka shtuar ajo./Front Online/
Gripi sezonal fillon të përhapet në Kosovë, gjendja pritet të përkeqësohet në nëntor