Sigal Prishtina ka fituar në derbin kryeqytetas ndaj Borës me shifrat 96:82 (23:19, 23:15, 26:25, 24:23), në javën e dytë të Superligës.
Pas një fillimi të baraspeshuar, vendasit ishin për një nuancë më të mirë, duke e fituar çerekun e parë 23:19, derisa me lojë të mirë vazhduan edhe në periudhën e dytë, ku u shkëputën dhe shkuan në pushim me shifrat 46:34.
Bora tentoi në pjesën e dytë rikthimin, por nuk ia arriti qëllimit, pasi Prishtina menaxhoi lojën dhe epërsinë, për të triumfuar në fund me rezultat 96:82.
Kjo ishte fitorja e parë për bardhekaltrit në këtë edicion, derisa humbja e dytë për Borën.
Damiree Burns ishte më i mirë te vendasit me 23 pikë e 13 kërcime, duke u ndihmuar nga Muhamedali Janjeva me 21 pikë e gjashtë kërcime dhe Jalen Moore me 15 pikë e 11 asistime, derisa te Bora më të dalluarit ishin Ardarryl Clay Jr me 36 pikë dhe Jalen Graham me 21 pikë e nëntë kërcime.