Partitë politike në Kosovë, kanë publikuar listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë që do të garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Befasi në renditje kishte në disa nga subjektet politike, e madje kishte edhe nga të tilla raste që figura me peshë në subjektet politike nuk ishin futur fare në listë.
Lëvizja Vetëvendosje, ishte ajo e cila e fundit publikoj listën e saj me emrat e kandidatëve për deputetë. Në këtë listë, aty munguan dy figurat thuajse kryesore të partisë. Besnik Bislimi e Liburn Aliu, të dy aktualisht me pozita mjaftë të rëndësishme në ekzekutiv, ku njëri është zëvendëskryeministër e tjetri ministër.
Jashtë listës u la edhe deputeti i shumë përfolur i VV-së, Jahja Koka, i cili dha arsyet e tij se përse nuk deshi të ishte pjesë e listës zgjedhore.
Ajo që ra në sy në listën e VV-së, është se në dhjetëshe të parë është futur Mimoza Kusari-Lila, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte me një numër tjetër, përkundër shumë përgjimeve që ishin publikuar në media rreth saj. Këngëtarës Edona Llaloshi, e cila ishte kryebefasia e kësaj liste, iu vendos numri 19 në parti.
Deri më tani akoma nuk dihet se përse Besnik Bislimi e Liburn Aliu kanë mbetur jashtë listës, po ashtu edhe Yllëza Hoti, Tinka Kurti nuk janë pjesë e garës për deputete, derisa ish-deputetja e PDK-së iu bashkua VV-së, në ditën kur u votua Qeveria, Adelina Grainca është pjesë e listës për deputete nga kjo parti.
Lidhja Demokratike e Kosovës ishte e para që bëri publike listën e saj me emrat e kandidatëve për deputetë.
Edhe në këtë parti kishte befasi sa i përket renditjes. Ish-deputetja e VV-së e cila iu bashkua muaj më parë VV-së¸ Doarsa Kici-Xhelili, u bë e parë në listën e LDK-së, për nga gjinia femërore, duke lenë pas figura të vjetra të partisë, madje edhe deputeten Hykmete Bajrami e cila ishte mjaftë e zëshme në këtë legjislaturë. Tjetër befasi ishte vendosja e Avdullah Hotit, nga numri një që ishte në zgjedhjet e kaluara e ku ishte edhe kandidat për kryeministër, partia e vendosi me numrin 13, po ashtu renditje të tillë mori edhe zëvendësi i dikurshëm i Hotit, Driton Selmanaj, i cili garon me numrin 26.
Lutfi Haziri, që është figura e dytë me peshë në LDK, dikur kundër kandidat i kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, u vendos në listë me numër 4, pas Kujtim Shalës.
Aderimi i ri në LDK, ish-deputetja e VV-së, Drita Millaku, ka gjetur një renditje mjaftë të mirë, duke u pozicionuar me numrin 24 në listë, duke lënë prapa shumë figura tjera të vjetra të partisë.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, pati befasi në renditjen e kandidatëve për deputetë, veçmas në dhjetëshen e parë. Eliza Hoxha, ishte e gjashta në radhë, duke lënë prapa, figura mjaftë të vjetra të partisë. Numër të mirë mori edhe aderimi i ri në parti Sala Jashari, e cila u vendos në numrin 9, po ashtu duke lënë prapa kandidate tjera që për vite me radhë ishin pjesë e legjislaturave të Kuvendit.
Pozicionim jo fort të keq, iu dha të sapo aderuarve në PDK. Numri 20 iu dha Altin Krasniqit, djali i ish-sekretarit të PDK-së, Jakup Krasniqit, numri 24 iu rezervua Arbër Behlulit, djalit të këngëtares Shkurte Fejza, ndërsa numri 22 ishte për gazetarin Drin Ejupi.
Ajo që bie në sy ishte renditja e deputetit Mërgim Lushtaku, babai i të cilit është njëri nga figurat me të fuqishme brenda PDK-së. Lushtaku mori numrin 100.
Me numrin 75 u vendos, Artan Behrami ish-këshilltari i liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, derisa babai i futbollistëve Xhaka, Ragip Xhaka mori numrin 34 në listë, duke koiciduar me numrin e djalit të tij, Grantitit.
Koalicioni AAK-NSIMA, ka publikuar po ashtu listën për deputetë. Edhe në këtë listë kishte mjaftë befasi.
Listës i prinë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i pasuar nga lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, derisa në dhjetëshen e këtij koalicioni ka po ashtu befasi.
Deputeti Haki Abazi, i cili aderoj në AAK javën e kaluar, është vendosur me numrin 100.
Ish-deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, po ashtu ka marr një numër mjaftë të mirë në këtë listë, përkundër se ajo ishte bashkuar para disa muajve në partinë NISMA.
Daut Haradinaj, vëllai i liderit të AAK-së, vazhdon ta mbajë numrin 50, derisa daja i Haradinajt, Lahi Brahimaj, është pas numrit 80-të.
Deputetët tradicional të AAK-së, janë vendosur nën dhjetëshen e partisë, derisa janë zëvendësuar me prurjet e reja, siç është ajo me Gani Bajraktarin, Nuredin Lushtakun.
Ish-ministrat e NISMA-s po ashtu janë kandidatë për deputetë. Pjesë e listës është edhe Isni Kilaj, ish-kryetari i Malishevës, e po ashtu edhe kandidat për kryetar të kësaj komune nga PDK-ja në zgjedhjet e kaluara, aktualisht në Hagë pas arrestimit nga Gjykata Speciale javën e kaluar.
Për herë të parë janë duke garuar në zgjedhje, por me shumë surpriza ishte lista e tyre e kandidatëve për deputet.
‘’Lista për Familjen’’ i prinë ish-deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, i pasuar nga Selim Pacolli, vëllai i kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli.
I pari i AKR-së, për herë të parë ka vendosur të mos i futet garës për deputet, por ka lenë përsëri dikë të familjes aty.
Pjesë e kësaj liste u bë edhe futbollisti i njour, Mërgim Mavraj. Mavraj pozicionohet me numrin 15 në listë. Pas shumë viteve, kandidimit iu rikthye edhe Ferid Agani, ish ministër i shëndetësisë, derisa bashkëpartiaku i Eman Rrahmanit, Visar Korenica, garon në këtë listë me numrin 7.
Abazi: Ja pse u vendosa me numrin 100 në listën e AAK-së
Deputeti Haki Abazi, për FrontOnline, ka folur për dallimin në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK-së. Ai ka thënë se se ka një dallim substancial mes mënyrës se si po zhvillohen fushatat dhe proceset brenda AAK-së krahasuar me ato që ai ka përjetuar më parë në Lëvizjen Vetëvendosje, duke shtuar se në AAK ka hapësirë të madhe për diskutim, orientimin e fushatës, përfshirjen e anëtarëve dhe të kryetarëve të degëve dhe komunave, dhe se ky proces është “180 shkallë ndryshe” nga ajo që ka qenë në VV.
‘’Dallimi është krejt substancial, sepse unë njihem për të qenurit direkt dhe hapësira për diskutim, për program, orientim të fushatës, është krejt tjetër edhe e përfshirjes së anëtarëve, edhe të kryetarëve të komunave dhe të degëve, është 180 shkallë ndryshe nga ajo që ka qenë në VV’’ thotë ai.
Ndërsa për numrin 100 me të cilin garon ai në në listën e kandidatëve të AAK-së, Abazi tha se nuk ka pasur pretendime për të qenë në krye të listës, duke shtuar se për të rëndësi ka kontributi që mund të japë dhe jo krijimi i konfrontimeve të panevojshme.
‘’Ndërsa për numrin 100, është se simbolika e numrit se unë nuk kam pasur pretendime që të jem në krye të listës dhe të bëjë konfrontime, unë jam aty për të dhënë kontributin tim’’ theksoi ai.
Abazi theksoi se ka hy në AAK jo për interesat e tij personale, por për të kontribuar në realizimin e një agjende politike të rëndësishme për Kosovën, duke përfshirë integrimin e vendit në NATO.
‘’Nuk kam hy në AAK për pretendimet e mia personale, por kam hy në shëbrim të një agjende politike, të integrimit në NATO. 100-shi e përcakton simbolikën që nuk kam hy në listë për me u shty me bërryla’’ shtoj Abazi,