Një prokuror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, loboi në një vend jo fort të zakonshëm për t’i marrë votat që të bëhet më pas anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Për tu emëruar anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, një prej prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Ferizaj provoi t’i sigurojë vota vetes. Madje këtë tentoi ta bëjë në një vend jo fort të zakonshëm.
Në një prej tualeteve të objektit të Prokurorisë në Ferizaj dikush loboi për tu bërë anëtar i KPK’së. Ai i kërkoi votën kolegut të tij, Paulin Pashkut.
Pashku i pyetur nga Klan Kosova nuk tregoi emrin e personit i cili vjen nga Prishtina e të cilin nuk e ka lajmëruar as në polici ani se bëri me dije se i njëjti ka tre javë që tërthorazi ja kërkonte votën.
Një ish-prokuror thotë se KPK duhet të merret urgjentisht me rastet si këto të cilat sipas tij kanë ndodhur edhe në të kaluarën në mënyra të ndryshme.
Për shkak të parregullsive, javën e kaluar, SHBA dhe BE u larguan nga monitorimi i procesit të zgjedhjeve në KPK. Për këtë të fundit, Sylë Hoxha, thotë se ky është alarmi i fundit që të nis me ndryshime.