×
  • Opinione
  • Opinione

    Si mund ta thyejë Ukraina aleancën perëndimore

    Gideon Rachman
    30 Prill 2025

    Burim: The Financial Times, Gideon Rachman.

    Frika nga Rusia e bashkoi aleancën perëndimore. Tani, frika nga Rusia rrezikon ta çajë atë.

    Në vitin 1949, për të frenuar Moskën, nga ShBA-ja, Kanadaja dhe aleatët evropianë u themelua Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Por, nëse administrata Trump përpiqet tani ta detyrojë Ukrainën të pranojë një disfatë të pjesshme në luftën me Rusinë, Amerika do të shihet gjerësisht në Evropë si një shtet që shpërblen agresionin rus. Nëse aleatët e NATO-s nuk bien më dakord për kërcënimin me të cilin po përballen – dhe mënyrën se si ta trajtojnë atë – e gjithë aleanca është në rrezik.

    Ndër dekada, aleanca atlantike ka mbijetuar shumë mosmarrëveshje të thella – nga kriza e Suezit në vitin 1956, te luftërat në Vietnam dhe Irak – sepse gjithmonë ka pasur një mirëkuptim se, në fund të fundit, ShBA-ja dhe aleatët e saj evropianë ishin në të njëjtën anë.

    Partneriteti ShBA-Evropë ishte i bazuar në interesa dhe vlera të përbashkëta. Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, interesi i përbashkët ishte frenimi i kërcënimit sovjetik. Vlera e përbashkët ishte mbrojtja e demokracisë. Edhe pas përfundimit të asaj lufte, lufta kundër terrorizmit dhe mbrojtja e demokracive të reja të Evropës i dhanë NATO-s një qëllim të përbashkët.

    Por, ky mirëkuptim i përbashkët po tensionohet. Një përfundim shkatërrimtar i luftës në Ukrainë mund ta thyejë krejtësisht atë.

    Gjatë javës së fundit, ShBA-ja dhe Evropa kanë shtyrë përpara plane të ndryshme paqeje për Ukrainën. Evropianët hedhin poshtë elementet kyçe të planit të Trumpit – mbi të gjitha, njohjen ligjore të aneksimit të Krimesë nga Rusia.

    U duk se në Romë, gjatë fundjavës, Donald Trump pati një bisedë miqësore me Volodymyr Zelenskyyn e Ukrainës – ndërsa, udhëheqësi amerikan bëri gjithashtu një kritikë të rrallë ndaj Vladimir Putinit. Por, Amerika nuk ka hequr asnjë nga elementet e planit të saj të paqes të cilat evropianët dhe ukrainasit i konsiderojnë të papranueshme.

    Në thelb të kësaj mosmarrëveshjeje qëndrojnë vizionet thellësisht të ndryshme mbi sigurinë ndërkombëtare – dhe prej nga vjen kërcënimi i luftës së ardhshme. Evropianët besojnë se shpërblimi i agresionit rus në Ukrainë do ta bënte shumë më të mundshme që Putini të sulmojë pjesën tjetër të Evropës – duke filluar nga shtetet baltike.

    Administrata Trump e sheh situatën krejt ndryshe. Ajo shqetësohet se ShBA-ja mund të përfshihet përfundimisht në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Vetë Trumpi ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e një Lufte të Tretë Botërore. Edhe administrata Biden ishte e shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit me Rusinë. Por, ndryshe nga Trumpi, ajo ndante me Evropën dyshimin e thellë ndaj Putinit dhe vendosmërinë që agresioni rus të mos shpërblehet.

    Divergjenca në vizionet për sigurinë, tashmë shkon shumë përtej çështjes se si duhet përfunduar lufta në Ukrainë. Aleatët e Amerikës duhet të përballen me realitetin se Trumpi po kërcënon drejtpërdrejt territorin e dy anëtarëve të NATO-s.

    Trumpi ka premtuar vazhdimisht se do të përfshijë Grenlandën – e cila është pjesë autonome e Danimarkës – në ShBA. Në një intervistë të fundit për revistën Time, ai gjithashtu përsëriti dëshirën e tij për ta shndërruar Kanadanë në shtetin e 51-të të Amerikës. Trumpi nuk ka bërë kërcënime të hapura ushtarake kundër Kanadasë, por ai e shpreh qartazi dëshirën për të zhdukur ekzistencën e saj si një shtet i pavarur.

    Kombinoni këto instinkte autoritare, kërcënimet e tij ndaj aleatëve të NATO-s dhe simpatinë e dukshme për Putinin – dhe është e vështirë të pohohet se NATO-ja vazhdon të jetë një aleancë e bazuar në vlera të përbashkëta.

    Në fakt, konflikti i vlerave tashmë është bërë i hapur. Si ShBA-ja, ashtu edhe aleatët e saj më të mëdhenj evropianë vazhdojnë të pretendojnë se po mbrojnë demokracinë. Por, të dyja palët besojnë (ose pretendojnë të besojnë) se demokracia është në rrezik nga ana tjetër e Atlantikut.

    Në një fjalim tashmë të famshëm në Konferencën e Sigurisë në Munih, JD Vance akuzoi aleatët evropianë të Amerikës për shtypje të lirisë së shprehjes dhe për frikë nga vetë popujt e tyre. Akuzat e nënkryetarit u pritën me zemërim të ftohtë në shumicën e Evropës – ku përpjekjet e Trumpit për të përmbysur zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 dhe sulmet e tij ndaj gjyqësorit, medias dhe universiteteve në ShBA nuk kanë kaluar pa u vënë re.

    Administrata Trump dhe aleatët e saj evropianë tani predikojnë dy vizione të kundërta për vlerat perëndimore. Vizioni i Vance-Trump është etno-nacionalist, konservator në aspektin kulturor dhe nuk është liberal. Ndërsa ai evropian është internacionalist dhe i bazuar në ligj dhe institucione liberale.

    Përçarja është edhe më e hidhur sepse të dyja palët e konsiderojnë këtë si një betejë ekzistenciale për mbijetesë politike – dhe kërkojnë aleatë në anën tjetër të Atlantikut. Administrata Trump kërkon të bashkëpunojë me populistët nacionalistë si Viktor Orbáni i Hungarisë, Robert Fico i Sllovakisë apo Nigel Farage i Britanisë. Ndërkohë, qeveritë kryesore evropiane kishin shpresuar që Kamala Harris të fitonte presidencën amerikane dhe tani po numërojnë me ankth ditët deri në zgjedhjet afatmesme në ShBA.

    Aleanca transatlantike dikur ishte një angazhim dypartiak që mund të mbijetonte lehtësisht ndryshimet e qeverive. Tani mund të funksionojë vetëm nëse liberalët – ose jo-liberalët – janë në pushtet në të dy anët e Atlantikut njëkohësisht.

    Edhe atëherë, ka arsye për dyshim. Përveç vlerave dhe interesave të përbashkëta, aleanca perëndimore varet edhe nga besimi. Të gjitha palët duhet të dinë se ajo do të rezistojë, çfarëdo që të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme. Por, evropianët dhe kanadezët tani e dinë se ShBA-ja është e aftë të zgjedhë Trumpin për herë të dytë. Ata nuk mund të marrin më si të mirëqenë qëndrueshmërinë amerikane. /Telegrafi/

    Nga Rubrika
    Opinione29 Maj 2025
    Nga: Arianit Koci Një avokat që i del në mbrojtje një prokurori – nuk është veprim i zakonshëm. As i mençur –...
    Opinione28 Maj 2025
    Le të shpresojmë që Donaldi është i tërbuar nga inati dhe do të godasë atje ku Putinit i dhemb më shumë. Burimi:...
    Opinione27 Maj 2025
    Nga Ben Andoni: Zgjedhje të parakohshme, hetim të zgjedhjeve 2025, bandat pjesëmarrëse në zgjedhje, përdorimi i Administratës, Greva e Urisë janë disa...
    Të tjera
    Lajme30 Maj 2025
    Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka rrëfyer për kërcënimet me jetë që kishte marrë pas debateve që...
    Sport30 Maj 2025
    Futbollisti i njohur shqiptar, Mërgim Berisha, dhe bashkëshortja e tij, Edona Berisha janë bërë prindër për herë të parë të një vajze....
    Lajme30 Maj 2025
    Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar rreth rastit të aplikimit të kompanisë së vëllait të Luan Dalipit, këshilltar i Albin Kurtit, për...
    Lajme30 Maj 2025
    Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës për disa mandate, Besa Gaxherri, për FrontOnline ka folur për ngërçin politik që po e mban peng...
    Lajme30 Maj 2025
    Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi kompania e vëllait të Luan Dalipit, Shefit të Stafit të Kryeministrit...
    Lajme30 Maj 2025
    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës për disa mandate, Xhavit Haliti, për FrontOnline ka komentuar situatën e zgjatur të bllokimit të konstituimit të...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.