Rashit Qalajt sot i erdhi fundi në krye të Policisë së Kosovës, por shkarkimi i ishte thirrur edhe më herët. Qalaj, që VV më parë e shihte si njeri të SHIK’ut, i shpëtoi pushtetit të Kurtit. Ekzekutuesi i dhjetëra shkarkimeve e kurseu drejtorin e Policisë. Qalajn në fund e largoi kryeministri Avdullah Hoti.
Drejtori i shkarkuar i Policisë, që ishte emëruar nga Ramush Haradinaj, por që i ishin përmendur gjithmonë lidhjet me zyrtarë të lartë të PDK’së, i shpëtoi edhe ish-kryeministrit Albin Kurti.
Gjatë qeverisjes së Kurtit, shumë herë u përmend mundësia që Qalaj të lirohej nga detyra. Sepse ish-kryeministri po shkarkonte çdo ditë formacione të ndryshme në krye të institucioneve të shtetit. Këdo që e konsideronte se ka ardhur në pushtet me lidhje politike të pushtetarëve të mëhershëm.
Mirëpo, Kurti, i pyetur rreth shkarkimit të Qalajt, thoshte se nuk e ka sugjeruar asnjëherë largimin e tij, e këtë nuk e kishte kërkuar as atëherë ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Për besë nuk e di. Duhet të vij nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme. Unë nuk kam sugjeruar gjë”, pati thënë Kurti në RTK.
Edhe Qalaj nuk ishte i sigurt nëse do t’i shpëtonte Kurtit, por në Televizionin 7 kishte thënë se nuk preokupohet se a e shkarkohet ose jo.
“Kjo është pyetje që besoj duhet t’ia drejtoni Qeverisë së Kosovës. Ne, Policia e Kosovës ajo që është në mandatin tonë është ta kryejmë detyrën tonë sa më mirë që është e mundur dhe ky është preokupimi ynë kryesor”, ka thënë Qalaj.