Një ditë para se të nisej në Hagë, ish-Presidenti Hashim Thaçi kishte falur një pjesë të dënimit për dy të dënuarit në rastin “Bllaca”, Shpresim Uka dhe Bekim Syla.
Uka që ishte i dënuar me 15 vite burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit, dhe tentim vrasjen ish-zëvendës kryeministrit Adem Salihaj iu falën nga Thaçi katër vite burgim.
Thaçi ka falur edhe Bekim Sylën, i dënuar me 12 vite burg po ashtu për rastin “Bllaca”. Atij i janë falur 3 vite e 6 muaj burg.
Por gazeta Objektiv mëson se Komisioni për faljen e të burgosurve që është në kuadër të zyrës së presidentit të Kosovës, i kishte kërkuar ish-kreut të Shtetit që Shpresim Ukës t’i falet vetëm një vit, e jo katër siç ka vendosur më vonë Thaçi.
Këtë e ka konfirmuar për gazetën Objektiv edhe kryetari i këtij komisioni Hasan Shala.
“Ne ia kemi propozuar një vjet, presidenti e ka falë katër vjet është e drejtë ekskluzive e presidentit. Unë kam qenë anëtar i komisionit, unanimisht pesë anëtar të komisionit e kemi propozuar që ma ia falë një vjet Shpresim Ukës, tha Shala.
Me punën e këtij komisioni nuk është i kënaqur as Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Kryetari i këtij komisioni, Behxhet Shala thotë se nuk kanë pasur asnjë informatë se cilët të burgosur do të falen.
“Unë kam refuzuar të jem anëtar i këtij komisioni pasi nuk kam qenë i kënaqur me punën e këtij komisioni. Kësaj radhe ne nuk e kemi pas asnjë informatë se cilët të burgosur do të falen. Do të ishte mirë po ta kishte përfillë kërkesën e komisionit pasi përgjegjësia do të binte mbi ta”, theksoi Shala.
Falja e dy të dënuarave për rastin “Bllaca”, Thaçit ia ka përmendur Prokurori i Specializuar gjatë së hënës, në seancës e parë para gjyqtarit në Hagë.
E ky fakt sipas Drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftarit do të shfrytëzohet për uljen e kredibilitetit dhe integritetit të Thaçit.
“Rasti I faljes së disa të dënuarve padyshim se do të shfrytëzohet për të dëshmuar se z. Thaçi në çdo rast kur i ipet mundësia merr vendime të kundërligjshme. Një qasje e tillë ka për qëllim të ndërtuar strategjinë se nëse një herë e shkel ligjin dhe procedurat e njëjta mund të ndodh edhe herë tjera. Në këtë drejtim, vendimi e z. Thaçi për të liruar persona për vepra penale shumë të rënda është një vendim i pamatur dhe që do të rëndojë edhe më shumë në rastin që e ka në Hagë”, përfundoi Miftari.