×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Si e ndryshuan botën zgjedhjet e 2024-tës

    FrontOnline
    29 Dhjetor 2024

    Votimi i më shumë se gjysmës së popullsisë së botës në zgjedhjet e vitit 2024 ka lënë shumë demokraci liberale përballë krizave të besimit, fragmentimit politik dhe polarizimit të shtuar, teksa disa analistë i frikohen erës së re në velat e autoritarizmit.

    Ngjarja kryesore e vitit të madh zgjedhor qenë presidencialet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara, të vetëquajturin “qytet i ndritshëm mbi kodër” i demokracisë, ku Donald Trump doli fitimtar.

    Shumë analiza pas zgjedhjeve u fokusuan në faktorët ekonomikë për refuzimin e figurave në pushtet të Partisë Demokratike nga ana e publikut.

    Kërcënimet e vazhdueshme të Trumpit për minimin e sundimit të ligjit nuk duket se dekurajuan aq votuesit.

    Nëse Trump i bën të gjitha ato që ka premtuar, “Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë sulmin më të ashpër ndaj ndarjes së pushteteve dhe lirive qytetare në historinë e saj paqësore”, shkroi profesori i shkencave politike, Larry Diamond, në revistën amerikane Foreign Affairs.

    Polarizim dhe fragmentim

    “Ndodhemi në një moment të rrezikshëm, jo vetëm në SHBA, por në shumë vende të tjera”, tha Max Bergmann nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), në një prononcim për AFP-në.

    Gjatë dy dekadave të fundit, modeli perëndimor i demokracisë, i instaluar që nga viti 1945 dhe i përforcuar pas rënies së bllokut sovjetik pas vitit 1989, ka qenë në rrezik.

    Organizata me bazë në SHBA, Freedom House, ka vënë në pah dhunën e shtuar dhe manipulimet e dyshuara apo të konfirmuara në shumë zgjedhje të mbajtura nëpër botë.

    Gjetiu, në disa të ashtuquajtura sisteme “hibride”, udhëheqësit e fuqishëm në pushtet ruajtën postet e tyre, por u përballën me kundërshtime të reja, të vendosura e të organizuara.

    Narendra Modi i Indisë dhe Recep Tayyip Erdogan i Turqisë pësuan humbje në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht komunale.

    Edhe në sisteme më konkurruese demokratike, si në Evropë, “ne po shohim politikë gjithnjë e më të polarizuar e më të fragmentuar”, tha Bergmann.

    Aleanca qeverisëse e Gjermanisë, ndërmjet socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve, u prish në nëntor, teksa ka pak qartësi se si do të duket një qeveri e re pas zgjedhjeve të reja në shkurt.

    Dhe, në Holandën fqinje, një koalicion i brishtë katërpalësh po përballet me luftë të brendshme, teksa po përpiqet të mos fundoset, pas rënies së qeverisë së mëparshme më 2023.

    Franca, ku prej dekadash në pushtet qëndrojnë herë partitë monolite të majta, herë ato të djathta, ka përjetuar lëkundje të skenës politike, që kur centristi Emmanuel Macron erdhi në pushtet si president më 2017.

    Zgjedhjet e parakohshme të befasishme që ai shpalli në verë prodhuan një Parlament pothuajse të ndarë baras ndërmjet tri blloqeve – të majtës, qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë.

    Përderisa palët nuk pajtohen pothuajse për asnjë temë, përpjekjet për reforma janë paralizuar.

    Kriza u thellua edhe më shumë, kur në dhjetor Parlamenti francez rrëzoi Qeverinë e Michel Barnierit, në vend të të cilit u emërua François Bayrou.

    “Ndalja e ndryshimeve”

    Gjendja e paqëndrueshme e demokracive perëndimore mund të shpjegohet nga “një krizë besimi në partitë politike dhe mediat, e paprecedent që nga viti 1945”, ka thënë Bertrand Badie, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin francez Sciences Po.

    Votuesit reaguan ndaj “një oferte të varfër të politikës”, ka shtuar ai.

    “Çfarë ofruan Macron në Francë apo Kamala Harris në SHBA përtej premtimit për të parandaluar marrjen e pushtetit nga rivalët e tyre, Trump apo e djathta ekstreme, e udhëhequr nga Marine Le Pen? Kjo krijon një problem të madh me legjitimitetin”, ka vlerësuar Badie.

    Refuzimi i partive tradicionale dhe i udhëheqësve në pushtet ka kontribuar në rritjen e partive populiste dhe atyre të ekstremit të djathtë.

    Ato shënuan suksese të mëdha në zgjedhjet evropiane të qershorit, siç demonstruan zgjedhjet në Gjermani, Francë, Holandë, si dhe në Itali e në Hungari para vitit 2024.

    Shumë votues po votojnë për politikanë që premtojnë masat më të ashpra ndaj çështjeve që përfshijnë imigracionin dhe inflacionin.

    Edhe personaliteti është element kyç, teksa Viktor Orban i Hungarisë dhe Trump kanë arritur të paraqesin autoritet të paepur.

    “Bota dhe shoqëritë po kalojnë nëpër një transformim të madh. Globalizimi liberal nuk ka sjellë përgjigje për miliona njerëz, të brengosur për ndryshime nganjëherë radikale në mënyrën se si ne jetojmë pranë tjerëve, udhëtojmë apo prodhojmë”, ka thënë Gilles Gressani, shef i revistës gjeopolitike franceze Le Grand Continent.

    “Si pasojë, ka një kërkesë gjithnjë e më të madhe për t’i ndalur ndryshimet – dhe, për shkak se kjo duket gjithnjë e më e pagjasë, një dëshirë për t’u tërhequr” nga çështjet përtej kufijve shtetërorë, ka shtuar ai. /REL/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni01 Janar 2025
    Tirana mirëpriti ndërrimin e viteve me spektakël fishekzjarresh që zgjatën 10 minuta në sheshin “Skënderbej”. Aktiviteti i organizuar nga Bashkia e Tiranës...
    Bota/Rajoni01 Janar 2025
    Kryeministri i Shqipërisë ka bërë të ditur lajmin e mirë, se në minutat e parë të vitit 2025, kanë lindur binjakët e...
    Bota/Rajoni31 Dhjetor 2024
    80 për qind e Porto Rikos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka mbetur pa rrymë në vigjilje të Vitit të Ri....
    Të tjera
    Lajme01 Janar 2025
    Sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell, por me ngrica dhe mjegull në mëngjes. Temperaturat do të jenë nga -7°C deri...
    Lajme01 Janar 2025
    Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara, ka bërë të ditur për FrontOnline se katër milionë pasagjerë kanë shfrytëzuar...
    Lajme01 Janar 2025
    Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi për lëvizje pa viza në Kosovë për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Një grup i...
    Lajme01 Janar 2025
    Në periudhën nga 1 janari deri më 23 dhjetor 2024, aksidentet fatale në Kosovë kanë rënë me 7.37 për qind duke shënuar...
    Lajme01 Janar 2025
    Një incident i rëndë ka ndodhur pak para ndërrimit të moteve mbrëmë në qytetin e Prizrenit. Një sasi fishekzjarresh ka shpërthyer. Si...
    Lajme01 Janar 2025
    Liberalizimi i vizave ka qenë prej kohësh një nga temat kryesore në Kosovë. Për shumë qytetarë, kjo nuk ishte thjesht çështje udhëtimi,...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.