Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka pranuar shtatë aplikime për të votuar nga Haga e Holandës.Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish dy kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, ish-deputeti Rexhep Selimi bashkë me Salih Mustafën dhe drejtuesit e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj – të cilët po mbahen në paraburgim pasi që janë të akuzuar nga Specialja – kanë kryer aplikimet për të dhënë votën në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Nga KQZ kanë falënderuar Ambasadën e Kosovës në Holandë, si dhe personelin administrativ të Dhomave të Specializuara për ndihmën rreth këtyre aplikime.
Nga Gjykata Speciale u shprehën të rezervuar për të dhënë detaje për ndihmën e ofruar për t’iu mundësuar të lartcekurve votimin.
“Dhomat e Specializuara te Kosovë, brenda kornizës së duhur ligjore, po ofrojnë asistencë për të paraburgosurit që ata të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e ardhshme. Për arsye të privatësisë nuk mund të ofrojmë asnjë informacion mbi kërkesat specifike të të paraburgosurve” thuhet në përgjigjen e zëdhënëses, Angela Griep.
Avokati Taulant Hodaj ka treguar se si do të bëhet votimi i të pandehurve që janë ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, votimi i tyre është sikur i diasporës dhe bëhet me urdhër të veçantë të gjyqtarit të procedurës paraprake.“Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk e parasheh situatën sesi duhet të veprohet kur të akuzuarit duan të votojnë”, thotë Hodaj./KlanKosova