“Nuk dua ta zmadhoj”, thotë Tony Arend, me një intensitet që rrezaton përmes maskës së tij. “Por e ardhmja e rendit global është në rrezik”. Profesori i Universitetit të Georgetownit, duke folur për agjencinë britanike BBC, i sheh zgjedhjet si një përballje të politikës së jashtme, “për shkak se kemi dy vizione thelbësisht të ndryshme të asaj se si bota duhet të duket dhe se si udhëheqja amerikane duhet të duket në botë”. Bota, sipas presidentit Trump, ngushtohet në sloganin nacionalist “America First” (“Së pari Amerika”), duke lënë anash marrëveshjet ndërkombëtare që beson se i japin SHBA-së trajtim të padrejtë.
Është transaksionare, përçarëse dhe e njëanshme. Është gjithashtu personale dhe e çrregullt, e formësuar nga parandjenjat e tij dhe raportet me liderët, dhe e shtyrë nga publikimet e tij në “Twitter”. Bota, sipas Joe Bidenit, është shumë më tradicionale nëse merren parasysh interesat dhe roli i SHBAsë, ndërtuar në institucionet ndërkombëtare të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore dhe bazuar në vlerat e ndara demokratike perëndimore. Është një nga aleancat globale në të cilën Amerika udhëheq kombet e lira, duke luftuar kërcënimet tejkombëtare. Disa gjëra dallojnë – qasja ndaj aleatëve, ndaj ndryshimit klimatik dhe ndaj Lindjes së Mesme.
Raportet me aleatët
Presidenti Trump ka lëvduar autokratët dhe ka fyer aleatët. Në krye të listës së gjërave që duhen bërë nga Joe Bideni është ndreqja e raporteve të acaruara, sidomos me NATO-n, dhe ribashkimi i aleancave globale. Administrata e Bidenit do t’i rikthehej Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe do të zotohej për t’i prirë luftës ndërkombëtare kundër koronavirusit. Fushata e Bidenit e mendon këtë si një rivendosje madhore për ta shpëtuar imazhin e dëmtuar të Amerikës dhe t’i mbledhë demokracitë kundër asaj që e sheh si një baticë në ngritje e autoritarizmit. Por mund të jetë më shumë stil sesa përmbajtje, kundërshton Danielle Pletka nga instituti konservator i Institutit të Sipërmarrjes Amerikane. Ajo, në një deklaratë për BBC-në, argumenton se administrata e Trumpit ka arritur shumë në skenën globale, me bërryla të mprehtë. “A kemi humbur miq me të cilët do të shkonim në ndeja? Sigurisht që po”, thotë ajo. “Askush nuk do të shkojë në ndeja me Donald Trumpin. A kemi humbur fuqinë dhe ndikimin në metrikat që në fakt kanë pasur shumë rëndësi për 70 vjetët e fundit? Jo.”