Dje në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është diskutuar për letrën e ministres Gërvalla përmes së cilës kërkohet shtimi i hapësirave si qendra të votimit në diasporë. Kjo përplasi anëtarët e opozitës dhe pozitës dhe në fund mbledhja përfundoi pa u miratuar rendi i ditës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së fundmi ka pranuar një letër nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që drejtohet nga Donika Gërvalla. Ajo ka kërkuar nga KQZ që të të shtohen hapësirat si qendra të votimit në diasporë.
Në letrën që e ka siguruar Gazeta Express thuhet se “në ato vende ku hapësirat e misioneve tona janë të vogla për të ofruar mundësinë e votimit për të gjithë qytetarët e asaj zone me të drejtë vote, është e nevojshme që urgjentisht të shqyrtojmë hapësirat shtesë për votim jashtë vendit, pra përfshirjen në qendrat e votimit të hapësirave të shfrytëzuara nga përfaqësitë tonë diplomatike dhe konsullore, në përputhje me standardet më të mira”.
Tutje MPJ i ka bërë propozime duke kërkuar miratimin e KQZ’së për objekte shtesë që misionet jashtë vendit të fillojnë t’i kontraktojnë ato nga organet publike/lokale ose dhe operatorët privatë para datës 2 dhjetor.
“Në këtë kontekst, vlerësojmë se hapësirat e propozuara plotësojnë të gjitha kushtet dhe kriteret e përcaktuara ligjore dhe, si të tilla, duhet të miratohen nga organet e brendshme vendimarrëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Miratimi i këtyre hapësirave nga ana e KQZ-së krijon kushtet dhe hap rrugë që përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për kontraktimin e tyre nga organet publike/lokale ose dhe operatorët privat, para dates 2 dhjetor 2024, kur edhe planifikojmë t’iu përcjellim shteteve pritëse informacionet e përditësuara përmes korrespodencës, pas njoftimit paraprak që ua kemi bërë në rrugën diplomatike”, vijon letra tutje.
Sipas Gërvallës shtimi i këtyre hapësirave do të kontribuojë në rritjen e numrit të votuesve për disa arsye.
Por, kjo letër e ministres Gërvalla u interpretua ndryshe nga anëtarët e KQZ’së dhe nuk u votua.
Arianit Elshani, anëtar nga Partia Demokratike e Kosovës në KQZ, tha se kjo shkresë ka ardhur me kufizime kohore dhe sipas tij është e paarsyeshme të trajtohet.
Madje letrën e Gërvallës nuk e mori si letër nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës por “nga një kryetare e një partie”.
“E para, konsideroj që shkresat që vijnë me kufizime kaq të shkurta kohore janë të paarsyeshme për t’u trajtuar, pra nuk ofrojnë mjaftueshëm kohë për t’u trajtuar nga ana e KQZ’së. E dyta, jemi duke folur për një shkresë që vjen nga radhët e një kryetari të një partie politike, pra nuk vjen në cilësinë administrative, institucionale, pra që ndoshta do duhej të vinte nga sekretari i MPJD’së. Pra po flasim për një shkresë që po kërkohet të trajtohet nga kryetari i një partie politike e cila së paku nuk është lajmëruar deri tash që nuk do të hyjë në garë për këto zgjedhje parlamentare. Tjetra lidhur me temën që trajtohet përgjatë kësaj shkrese, konsideroj që kjo temë është mbyllur në kuadër të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që ka qenë 28 gushti dhe kur janë miratuar të gjitha qendrat e votimit sa i përket votimit fizik në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit”, tha Arianit Elshani.
Sipas Elshanit, përfaqësitë diplomatike që ka Kosova në diasporë janë të mjaftueshme për votuesit nga vendet jashtë Kosovës.
“Vetëm 6 mijë qytetarë kanë kërku që me votu fizikisht në ambasada në mbarë botën, shumica e votuesve jashtë vendit kanë zgjedhur që të votojnë me postë”, tha ai.
Si shembull ai more Stuttgartin, ku tha se është mundësuar votimi fizik për 1,000 persona në ambasadë, kurse të regjistruar deri tash për votim janë vetëm 186 persona.
“Tash a ia vlen KQZ me marrë objekte shtesë që nuk e di a janë të rregulluar me qira apo si”, tha ai.
Ilir Gashi, anëtari tjetër i KQZ’së nga PDK, tha se “nuk e ka të drejtën Ministria që të iniciojë shkresa që i takojnë ekskluzivisht KQZ’së”.
Ndërkaq, Sami Hamiti, anëtar i KQZ’së nga LDK, tha se shkresa e Gërvallës është ndërhyrje direkte në KQZ.
“Kjo shkresë është ndërhyrje direkt në institucionin e pavarur. Mund ta trajtojmë si të doni por unë po flas për diçka që është ligjore edhe kushtetuese. Ligji na ka ngarku për organizimin e zgjedhjeve dhe pjesët që i marrin institucionet tjera. Ligji e ka përcaktu kush e administron procesin zgjedhor.”
Ai tha se janë përcaktuar qendrat e votimit dhe shtoi se “kjo lojë të sillet edhe njëherë, konsideroj që është tejkalim i kompetencave të një sektori apo të një organi ekzekutiv në institucionin e pavarur”.
Hamiti iu drejtua kryetarit të KQZ’së duke i thënë “zotëri kryetar shikoji shkresat”.
“Se ty të është drejtuar fatkeqësisht. Shumë keq që s’na keni dorëzu me kohë se ne e kemi marrë dje pasdite me shiku”, tha Hamiti.
Në fund ai tha se “kjo as që duhet të futet në rend dite”.
Më pas Sami Kurteshi i thumboi pak Hamitin e Elshanin duke thënë: “Hajt ta marr edhe unë [fjalën] masi janë deklarime politike jashtë rendit të ditës”.
“Jo, jo, s’janë politike, janë ligjore. Politike është shkresa”, iu përgjigj Hamiti.
Kurteshi vijoi duke thënë se nuk pajtohet që Donika Gërvallës t’i thuhet kryetare e një partie dhe shtoi se ajo është zëvendëskryeministre dhe ministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Unë pajtohem veç me atë se ende s’ka mbërri numri me u trajtu ndonjë hapësirë jashtë përfaqësive”, tha ai.
“Nuk po shoh fjali që i bën presion ose diçka tjetër KQZ’së. Dmth nuk ka kurrfarë presioni, veç ka kërku edhe unë mendoj që ka kërku me të drejtë”, tha ai.
Ai tha se janë të interesuar që qytetarët të votojnë.
“Nuk pranoj asnjë kufizim për votimin e qytetarëve, kërkoj vetëm procesi me qenë i rregullt. Çdo qytetar me pasë të drejtën por i kontrolluar”, tha ai.
Pas kësaj Kurteshi e lëshoi mbledhjen duke i thënë anëtarit tjetër të VV’së, Alban Krasniqit “po të lë vetë, grahi vetë se s’po merrna me këto marrëzira”.
Ai i akuzoi anëtarët e opozitës se “po bëjnë përpjekje me ia kufizu të drejtën mërgimtarëve”.
“Vjen 9 shkurti dhe takohemi, këtu kemi me qenë”, tha ai.
Pas tij foli Krasniqi, që në këtë diskutim e futi fjalën “luftë hibride” dhe e përmendi sulmin në Ibër Lepenc.
Sipas tij ky sulm ka impakt edhe në proces zgjedhor sepse ka impakt në sigurinë e njerëzve.
“Lufta hibride që po bëhet në Kosovë, e cila kohëve të fundit u pa edhe pasojat e saj, shpërthimin në Zubin Potok, që e dënoj fuqishëm e që të gjithë ata që kanë të përfshirë e të dirigjuar prej Serbisë e Vuçiqit ta marrin dënimin e merituar… Natyrisht kjo na prek neve sepse jemi në proces zgjedhor dhe aktet e tilla terroriste natyrisht se kanë impakt edhe në proces zgjedhor nesër a pasnesër sepse kanë impakt në sigurinë e njerëzve, krijojnë një lloj pasigurie dhe edhe ne duhet ta japim kontributin në këtë drejtim”, tha ai.
Ai tha se “fatkeqësisht po kontribuohet shtrirjes së dezinformimit”.
“Këtë po e bëjmë duke dërguar dezinformata te mediat, te opinionistë të caktuar të cilët me ose pa vetëdije dalin dhe japin qëndrime dhe informata të shtrembëruara gjoja se MPJD po u përzijka në kompetencat e KQZ’së”, tha Krasniqi.
Në fund, kryetari i KQZ-së hodhi në miratim agjenda së ditës së djeshme, por me tri vota për, pesë kundër, një abstenim rendi i ditës nuk u miratua.
Letra e plotë: