Dërgimi i Draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ka shkaktuar për vite me radhë diskutime dhe shqetësime në skenën politike dhe juridike të vendit.
Ky draft, që është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka hasur në kundërshtime dhe paqartësi lidhur me mënyrën e implementimit të tij në praktikë. Asociacioni, si një strukturë që synon bashkëpunimin ndërmjet komunave serbe, ka ngjallur debate mbi kompetencat që do t’i ketë dhe ndikimin që mund të ketë në integritetin territorial të Kosovës.
Në një kohë kur shqetësimet për stabilitetin politik dhe sigurinë në veri të Kosovës janë të larta, dërgimi i këtij drafti në Gjykatën Kushtetuese është parë si një hap tërësisht të nevojshëm për të shqyrtuar nëse ky dokument është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet ndërkombëtare.
Ambasadorët e Quint-it, kanë kërkuar që ky proces të zhvillohet, duke shtuar presion për një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme. Ata kanë theksuar se Draft-Statuti i Asociacionit duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, për të siguruar që ky dokument të jetë në përputhje me normat ligjore dhe kushtetuese të Kosovës.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, porositi që draft- satuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese.
“Është drafti ynë. Ne e kemi paraqitur, pasi asnjë qeveri në Kosovë që nga viti 2015 nuk ka bërë asgjë për ta çuar këtë përpara, edhe pse është obligim ligjor. Kështu që ekspertë eminentë evropianë kanë hartuar një tekst, i cili faktikisht është pranuar edhe nga qeveria e Kosovës dhe ka pasur për këtë edhe komente publike. Prandaj ne kemi thënë që nëse ka dyshime, dërgojeni në Gjykatën Kushtetuese, në gjykatën tuaj!” tha ai.
Por përkundër kërkesës dhe përsëritjes së vazhdueshme të aleatëve perëndimor, dërgimi i draft-statutit në kushtetuese duket shumë i vështirë brenda këtij mandati qeverisës.
Deputeti i VV-së: Draftin e bëjmë vetë, po nuk ka shanse të shkoj në Kushtetuese një Asociacion një etnik
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, për FrontOnline, ka theksuar se Kosova ka plotësisht të drejta dhe mundësi të hartojë çdo draft për çdo Asociacion që mund të krijohet, duke i përkufizuar këto si detyrë të institucioneve të vendit.
‘’Kosova sigurisht që ka institucionet e veta, për çdo hartim, për çdo drafti të mundshëm të ndonjë asociacioni. E ka thënë edhe kryeministri që Kosova, vendos vet sepse është shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht dhe sigurisht që asociacioni kjo temë që ka bërë shumë bujë’’ thotë ai.
Ai ka theksuar se Asociacioni do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës, e cila parashikon një shtet multi-etnik. Sipas Thaçit, krijimi i një asociacioni etnik do të shkonte kundër këtij parimi, pasi Kosova e ka një shtet të përbërë nga shumë grupe etnike, dhe nuk ka logjikë të krijohet një asociacion bazuar vetëm në një etni.
‘’Unë personalisht mendoj se një asociacion i tillë, një etnik, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës e cila e thotë që Kosova është shtet multi-etnik dhe përderisa ne e kemi shtetin multi-etnik, nuk ka logjikë të krijohet një asociacion, një etnik’’, thekson deputeti i VV-së.
Deputeti Thaçi për FrontOnline, tha se asnjë asociacion etnik nuk ka shanse të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën, e cila mbështet parimin e bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme në Kosovë.
‘’ Nuk ka shansa të shkojë në Kushtetuese asnjë asociacion një etnik, përderisa e kemi një shtet multi-etnik, pra që në start biem ndesh me Kushtetutën, duke kërkuar në një shtet që është multi-etnik.’’ u shpreh ai.
Kryeziu: Qeveria e ka për detyrë ta dërgoj draft-asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, pastaj kjo e fundit vendos
Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, p֝ër FrontOnline, ka theksuar rëndësinë e krijimit të Asociacionit, një detyrë që ka rrjedhur nga një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka shtuar se Asociacioni është një prej 49 marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë, ku disa prej tyre kanë marrë epilogun e duhur, ndërsa ky projekt është ende në proces.
‘’ Asociacioni është njëra prej 49 marrëveshjeve të nënshkruar me Serbinë, disa marrëveshje kanë marrë epilogun. Asociacioni është detyrë ekskluzive sepse Serbia nuk ka ndonjë detyrë më bërë, Kosova e ka për detyrë ligjore që ta krijoj asocacionin e komunitetit pakicë serb, kjo është vendosur me ligj’’ thotë ai.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, potencon se këto janë detyra që kalojnë në Kuvend dhe që Qeveria ka përgjegjësipër t’i zbatuar.
‘’Këto detyra, këto ligje që kalojnë në Kuvend, Qeveria e ka detyrë kushtetuese me i zbatu’’ shprehet ai.
Ai ka sqaruar gjithashtu se nuk është vetëm ky ligj që kërkon zbatim, por edhe akti i dytë – Statuti, për të cilin Qeveria ka obligimin ligjor dhe kushtetues për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, sipas Kryeziut, ka kompetenca për të shqyrtuar projekt-statutin dhe vlerësuar nëse ai është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Në këtë proces, Gjykata ka mundësinë të hedhë poshtë projekt-statutin në tërësi ose pjesërisht, ose të japë rekomandime për ndryshime, duke siguruar që çdo vendim i tillë të jetë në harmoni me ligjin më të lartë të vendit.
‘’ Ky ligj nuk është i vetmi i zbatueshëm, është edhe akti tjetër, i cili quhet statut të cilin e ka obligim qeveria me zbatu, detyrë ligjore dhe kushtetuese që me dërgu në Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese, sistemi i drejtësisë është organ i barabartë edhe me ekzekutivin, kështu që përgjegjësia e Qeverisë kalon tek një pushtet tjetër, të cilin GJykata Kushtetuese e ka për detyrë ta shikoj se ky projekt-status a është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, ajo ka kompetenca me e hudhë si të tërin, pjesërisht ose me dhënë rekomandime’’ u shpreh Kryeziu për FrontOnline.
Demhasaj: Gjasat që tani Draft-Statusi të dërgohet në Kushtetuese janë minimale, apo nuk ekzistojnë fare
Analisti politik, Arton Demhasaj, për FrontOnline, ka shprehur dyshime të forta mbi mundësinë që ky draft-statuti i Asociacionit të Komunave Serbe të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se gjasat që kjo Qeveri ta dorëzojë draftin në Kushtetuese janë minimale, madje ai ka vlerësuar se ato mund të mos ekzistojnë fare.
‘’Gjasat që kjo Qeveri me dërgu draft-stautin në Gjykatën Kushtetuse, janë minimale, mos me thënë se nuk ekzistojnë fare.’’ Deklaroj ai.
Sipas Demhasajt, Qeveria e Kosovës ka pasur mundësinë dhe kohën për ta bërë këtë hap në periudha të mëparshme, sidomos gjatë kohës kur kërkesa nga partnerët ndërkombëtarë mund të kishte mundësuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ai thekson se lojërat dhe kalkulimet politike kanë bllokuar këtë mundësi, duke i humbur shansin Kosovës që të bëhej pjesë e KiE.
‘’ Kjo Qeveri e ka pasur momentumin, e ka pasur kohën për mos me thënë kohën kur është kërkuar nga partnerët ndërkombëtar e që Kosova kishte mundur të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës, por lojërat politike dhe kalkulimet politike e kanë humbur atë shans dhe sot Kosova është jashtë KiE dhe me pritë tash që ai draft me u dërguar në Kushtetuese pa pasur asnjë përfitim, gjasat janë minimale’’ shprehet analisti politik për FrontOnline.
Demhasaj shton se, aktualisht, Kosova ndodhet në një periudhë fushate zgjedhore, dhe kjo mund të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen e Qeverisë. Ai gjithashtu i referohet deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili më parë e mbrojti këtë draft, por më pas ka ndryshuar qëndrim ndaj tij. Sipas analistit, këto rrethana e bëjnë shumë të pamundur që ky draft të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese me këtë qeveri.
‘’Kosova është në fushatë zgjedhore dhe kjo mund të ndikojë edhe në votë dhe për këtë kjo Qeveri nuk e ka dërguar në Kushtetuese edhe pse Kurti e ka mbrojtur vetë këtë draft e më pas ka dalur kundër tij, por gjasat janë minimale dhe nuk pres që ky draft të shkoj në Kushtetuese me këtë qeveri’’ deklaroj analisti politik.