Kosovarët të cilët janë kthyer nga zonat e luftërave në Lindjen e Mesme, nuk u është dhënë trajtimin i duhur për ri-integrim në shoqëri. Institucionet kompetente nuk janë më marrë sa duhet me këta burra, gra e fëmijë, pasi nuk ishin mjaftueshëm të përgatitura për kthimin e tyre dhe deredikalizim. Kështu po konsiderojnë ekspertë të sigurisë e të politikave sociale, derisa theksin e vënë te fëmijët.
Fëmijët e kthyer nga këto vende janë nga Prishtina, Suhareka, Lipjani, Ferizaj, Mitrovica, Klina dhe Gjilani.
Shukrie Gashi, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Menaxhimin e Konflikteve, PartnersKosova, thekson për KosovaPress, se që nga viti 2016 janë duke punuar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ri-integrimin në arsim dhe shoqëri.
Sipas saj, nuk kanë qenë gjitha kapacitetet profesionale në dispozicion për ri-integrimin si duhet të këtyre personave.
Gashi: Grave duhet të krijohen mundësitë që ato të jenë në kontakt me gratë relevanta
“Çfarë ne si organizatë gjatë vlerësimit në terren kemi hasur ka qenë ajo që mes arsimtarëve, punëtorëve social, psikologëve dhe niveli qendror dhe atë komunal, ka qenë një mungesë e informacionit të duhur. Natyrisht si gjithkund tjetër nëpër botë është goditur popullata nga ky fenomen, meqenëse është i vështirë ende kërkon ngritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e kapaciteteve… (04:24) Një kategori që kujtoj që ka mbetur margjina janë gratë e kthyera nga zonat e luftës. Kujtoj që këtyre grave ka nevojë që t’u jepet hapësira, të krijohen mundësitë që ato të jenë në kontakt më shumë me faktorët relevantë. Dhe që të thyhet muri ndarës në mes këtyre grave dhe faktorëve që punojnë në këtë fushë”, shton Gashi.
Sipas saj, kategori shumë e ndjeshme janë edhe fëmijët të cilët po ballafaqohen me vështirësi të gjuhës.
Vebi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, thekson se me kthimin e tyre, të njëjtit ishin mbajtur vetëm për 72 orë në Vranidoll. Kjo tregon sipas tij, se institucionet nuk ishin të përgatitur si duhet për rikthimin e tyre.
Problemi më i madh ai thotë se është tek shërbimet sociale.
Mujku: Fëmijët janë ende me trauma
“Fëmijët janë ende me trauma, traumat pothuajse në vazhdimësi përsëriten. Sepse ata kanë qenë pjesë e ngjarjeve të tmerrshme që i kanë parë atje, dhe shërbimet sociale në përgjithësi në Kosovë nuk janë të përgatitura për trajtimin e tyre dhe për ofrimin e shërbimit psikologjik edhe shërbimeve tjera sociale që kanë nevojë. Në ndërkohë Kosova ka vënë në fuqi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. Dhe në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve është definicioni ‘fëmijë në rrezik’, që edhe këta i takojnë kësaj kategorie, i përcakton edhe disa definicione të tjera të cilat drejtpërdrejt i prekin këta fëmijë. Mirëpo, çfarë është shumë me rëndësi edhe tash pas 1 vit e gjysmë të miratimit të ligjit në Kuvend, ku është paraparë themelimi i disa këshillave, komiteteve, ekipeve të cilat duhet të punojnë me këta fëmijë. Dhe të hapet një shtëpi për qëndrim ditor, asnjëra nuk ka arritur të bëhet deri më tani. Dhe kjo ka penguar shumë në riintegrim dhe rehabilitim të fëmijëve”, thekson ai.
Në mungesë të këtyre shërbimeve, Mujku thekson se fëmijët mund të jenë të dhunshëm, meqë janë rritur në vatrat e luftës.
E eksperti i sigurisë, Kadri Kastrati thotë për KosovaPress, se kthimi i tyre nga vatrat e luftës ka qenë një nismë e mirë, por që
Thotë se nuk është punuar sa duhet për rehabilitimin e këtyre fëmijëve
Kastrati: S’kemi informacionë nëse kanë punuar me këtë fëmijë
“Ne nuk kemi informacione si qytetarë apo si eksperta të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes se sa kanë punuar apo çfarë programi kanë pasur për këta fëmijë, posaçërisht po them për fëmijë sepse ata rriten. Kanë lindur në një kulturë të një vendi tjetër, dhe ne do të duhej shumë më shumë të bënim për këta fëmijë, sepse ata do të rriten në Kosovë, dhe mund të jenë rrezik potencial për sigurinë e vendit tonë këtu brenda Kosovës.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të merret më shumë me këta persona, për të parë se janë të punësuar, në kurse e fusha të tjera.
Kastrati: Këta mund të jenë rrezik potencial
“Këta mund të jenë rrezik potencial për arsye se këta kanë qenë në një luftë, janë frymëzuar me kulturën atje. Ajo luftë për neve ka qenë jo luftë e drejtë, ka pasur organizata apo grupacione të ndryshme. Dikush i quan grupe terroriste, dikush i quan grupe vehabise, dikush i quan me emra të tjerë. Për neve është një rrezik potencial për shoqërinë, sepse ne nuk e dimë se çfarë misioni kanë ata, ne nuk e dimë se çfarë detyrash kanë marrë. Ne jemi dëshmitarë që radikalizmi është në rritje e sipër”, shton Kastrati.
Ndërsa, eksperti ndërkombëtar Moshe Landsman ditë më parë në publikimin e një raporti ka theksuar se ka qenë e vështirë procesi i intervistimit, dhe ardhja në sesione me profesionistë të shëndetit mendor, meqë shumë prej tyre kanë gjendje jo të mirë ekonomike.
Landsman: 10 përqind prej tyre janë duke u rritur nga gjyshërit
“10 për qind, 7 apo 8 prej tyre janë duke u rritur nga gjyshërit apo nga të afërm tjerë dhe kjo është sepse të dy prindërit kanë vdekur, apo për ndonjë arsye nuk kanë mundësi të përkujdesen për fëmijët. Këta fëmijë duket se kanë më pak probleme se ata që janë rritur në familjet e tyre fillestarë, origjinale sa i përket integrimit në shoqëri. Ata janë më pak të ekspozuar ndaj propagandës ekstremiste. Për momentin shumica e fëmijëve janë në shkolla, në klasë që janë më të ulëta se mosha e tyre, për shkak se kur kanë qenë në Siri nuk kanë shkuar në shkolla fare. Kur janë kthyer shumica prej tyre kanë pasur probleme me të mësuarit e gjuhës shqipe, pastaj kishim probleme me kurikulen shkollore. Dhe konkluzioni logjik ishte që ata të vendosen në shkolla më të ulëta se sa që e kanë moshën. Disa shkolla nuk i kanë vendosur fare në klasa të rregullta. Ata kanë marrë vetëm mësime private apo mësime mes-vete”, ka theksuar Landsman.
Landsman ka theksuar nevojën për ndihmë në mësimnxënie të të gjithë këtyre fëmijëve, të cilat kanë mbetur mbrapa në këtë aspekt. Sipas tij, çështja kryesore me këta fëmijë janë traumat në të cilat kanë kaluar këta mbi 70 fëmijë të kthyer nga vatrat e luftës.
Landsman: Shumica e tyre kanë çrregullime të tronditjes posttraumatike
“Shumica dërrmuese e tyre kanë çrregullime të tronditjes post-traumatike, ku duhet të merren profesionistët. Ekziston pyetja e çështjes së indoktrinimit fetar, ne kemi intervistuar dy ekspertë të çështjeve fetare, janë të dy imamë edhe pse njëri prej tyre mendoj se nuk e ushtron këtë profesion. Ata kanë pasur lidhje me familjet në fillim kur janë kthyer, por pastaj janë refuzuar nga familjet dhe tani kanë më pak lidhje me ta. Por, nga mësuesit duket se fëmijët janë duke u integruar shumë ngadalë në ambientet e klasës. Ndoshta kur jeton në një ambient nuk e kupton se sa është ai i ndryshuar në aspektin kulturor. Të gjitha shkollat e kanë fotografinë e kryeministrit dhe presidentit në mur. Disa prej fëmijëve kanë kundërshtuar këtë, sepse besojnë që islami e ndalon fotografinë”, u shpreh ai.
Burrat e gjitha grave aktualisht ndodhën në burgje, e këto të fundit kundërshtojnë të kontaktojnë edhe në rast nevoje me burrat. Eksperti ndërkombëtarë ka kërkuar nga institucionet lirimin me kusht të burrave të arrestuar të cilët nuk paraqesin problem, sepse sipas tij, këta duhet të fuqizohen ekonomikisht dhe të punojnë. Ndër tjera, ai ka kërkuar trajtime psiko-sociale për gjithë fëmijët, meqë të njëjtit janë duke u përballur me çrregullime post-traumatike.
Megjithatë, në një përgjigje me shkrim, Aferdita Jaha nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për KosovaPress, ka mohuar që ka fëmijë të cilët nuk janë të integruar në procesin arsimor. Sipas saj, të gjithë fëmijët e kthyer nga Siria janë të integruar në shkolla.
“Të gjithë fëmijët e kthyer nga Siria janë të integruar në shkolla dhe në institucione parashkollore. Fëmijët, mosha e të cilëve është më e madhe se mosha e paraparë me Ligjin për arsimin parauniversitar janë të kyçur në mësimin intensiv. Bazuar në të dhënat e MPB-së, nga vatrat e luftës janë kthyer 74 fëmijë, prej të cilëve 36 fëmijë janë nën moshën 0 deri në 3 vjeç, ndërsa 29 fëmijë (5 në parashkollorë dhe 24 në shkolla), sot kanë filluar procesim mësimor dhe pritet që së shpejti të integrohen edhe 9 fëmijë në kopshte. Mësimdhënësit janë të trajnuar MASh i ka trajnuar. Mirëpo ende ka punë në trajnime. Po ashtu, edhe psikologët janë të trajnuar. Në shkollat ku nuk ka psikologë, drejtoria komunikon me komunën dhe caktohen psikologët”, njofton Jaha.
Kërkohet se këto komunitete dhe institucionet të cilat ofrojnë shërbime sociale, të pajisen me psikologë dhe pajisjen me kuadro profesionale, në mënyrë që të të punohet me këta fëmijë.
Ndërkaq, në prill të vitit të kaluar në Kosovë ishin kthyer 110 kosovarë nga vatrat e luftërave në Lindjen e Mesme. Në mesin e tyre ishin 74 fëmijë, derisa disa prej fëmijëve të kthyer nga Siria ishin pa përkujdesje prindërore.