Gjatë ditës së sotme një shtetas i huaj i ka sulmuar fizikisht disa zyrtarë të Policisë së Kosovës, dy prej të cilëve kanë pësuar edhe lëndime trupore, pasi paraprakisht ai ka vjedhur një çantë dhe ka tentuar t’i rezistojë arrestimit.
Zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin, i cili më pas është dërguar për trajtim mjekësor-psikiatrik.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Sot rreth ores 14:15 në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë është raportuar një rast “vjedhje e çantes” nga një person i dyshuar. Njesia policore menjëherë ka reaguar me shpejtësi, ka arritur ta lokalizoj dhe identifikojë personin e dyshuar mashkull shtetas i huaj. Gjatë arrestimit të personit të dyshuar, i njëjti i ka rezistuar arrestimit nga policia duke i sulmuar zyrtarët policorë dhe duke iu shkaktuar lëndime trupore dy prej zyrtarëve. Zyrtarët policorë kanë arritur që ta vënë nën kontroll duke e arrestuar të dyshuarin i cili është dërguar për trajtim mjekësor-psikiatrik”, tha Hoxha