Të premten mbrëma, Shqipëria pësoi 2:0 nga Çekia në xhiron e tretë të fazës grupore të Ligës së Kombeve. Për të përzgjedhurit e Sylvinhos është humbja e dytë rresht. Më 10 shtator u mposhtën 1:0 në Tiranë nga Gjeorgjia.
Shqipëria kishte telashe ndaj Gjeorgjisë por edhe më shumë vuajti me çekët.
Që në minutën e tretë Tomash Chory realizoi për 1:0. I njëjti lojtar në minutën e 63-të u shkëput në zonë dhe shënoi gol të bukur për 2:0.
Shqipëria u mundua të reagojë por pa sukses. Jasir Asani, Kristjan Asllani e Indrit Tuci kishin gjysmëraste, por pa i konkretizuar.
Goditja nuk erdhi vetëm nga fusha. Tifozët çekë kanë shfaqur flamurin serb mbi hartën e Kosovës dhe mbishkrime “Kosova është Serbi”. Kjo nuk ishte e tëra. Ka pasur edhe flamuj shqiptarë të kthyer përmbys e po ashtu të shënuar me X.
Rastin për të reaguar, Shqipëria do ta kërkojë të hënën mbrëma në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë.
Shqipëria tani është e treta në grupin B1 me tri pikë, sa i ka edhe Ukraina në vendin e katërt. Nga gjashtë pikë i kanë Gjeorgjia dhe Çekia./Sinjali/