Ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë do të luhet sipas planit dhe nuk do të shtyhet, megjithëse ekziston një mundësi e tillë, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit.
Nikoqiri ka arritur të eliminojë rreziqet e sigurisë dhe anglezët tani mund të vijnë në Tiranë, shkruan FrontOnline.
Dueli mes dy kombëtareve ishte në dyshim, pasi federata shqiptare njoftoi ditë më parë se kishte marrë informacion nga policia se nuk mund të garantonte sigurinë e skuadrave.
Sidoqoftë, këto rreziqe janë eliminuar dhe autoritetet lokale kanë konfirmuar se janë marrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë e delegacioneve shqiptare dhe britanike.
“Do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipit kombëtar dhe futbollit në përgjithësi në Shqipëri nëse do ta shtynim këtë ndeshje”, njoftoi FSHF-ja.
Shqipëria e Edi Rejës do të jetë nikoqire e Anglisë në “Air Albania” në Tiranë të dielën nga ora 20:45.
Kjo ndeshje është e vlefshme për fazën eliminatore për Kupën e Botës 2022. /FrontOnline