Pas dorëheqjes nga posti i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për shkak të aktakuzave të Gjykatës Speciale të Hagës, kanë reaguar kryeministri shqiptar Edi Rama dhe lideri i opozitës Lulzim Basha.
Përmes një statusi në twitter Rama shkruan se procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është absurd por që do të vendosë përfundimisht, pastërtinë dhe drejtësinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri shqiptar ka shprehur solidaritetin e tij dhe të shqiptarëve në betejën e radhës siç e quan ai për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare.
“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, ka shkruar Rama.
Nga ana tjetër lideri i demokratëve Lulzim Basha ka shkruar në Facebook se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik të regjimit të Millosheviç.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë. Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.
Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.
Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.
Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore.
Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë por është përballur dhe ka ngadhnjyer. Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri”, ka shkruar Basha.