Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, gjatë 24 orëve të kaluara në botë është shënuar shifër rekorde e viktimave të sëmundjes COVID-19 me 11.617 të vdekur për një ditë.
Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe mbi 666.000 raste të reja të personave të infektuar, që gjithashtu është shifër rekorde, shkruan The Guardian.
Rekorde u shënuan edhe në nivel shtetesh. Shtetet e Bashkuara përsëri shënuan rekord në nivel kombëtar dhe në tërë botën me mbi 143.000 infeksione për 24 orë.
Edhe Britania e Madhe shënoi rekord të rasteve ditore të enjten me 33.470 raste të konfirmuara për 24 orë, që ishte për 10 mijë më shumë se një ditë më parë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë shtet ka shkuar në gati 1.3 milion.
Japonia gjithashtu shënoi rekord prej 1.660 rasteve, por kryeministri Yoshihide Suga tha se nuk ka nevojë të shpallet gjendja e dytë emergjente. Kryetari i Shoqatës Mjekësore të Tokios paralajmëroi se vendi tashmë ka hyrë në valën e tretë të infeksioneve.
Të enjten, rekord të numrit të rasteve shënoi edhe Italia, ndërsa Rusia shënoi rekord të numrit ditor të viktimave të pandemisë për të dytën ditë me radhë.