Buxheti për 2025, bartja e 2.5 milionë eurove dhe inkubatori i biznesit janë vetëm disa nga projektet të cilat qeverisja aktuale në Gjilan ka kërkuar nga opozita ti votoj në seancën e së enjtes si pika të rendit të ditës, mirëpo këta të fundit i kundërshtuan.
Si rrjedhojë, të dy palët gjendjen aktuale po e konsiderojnë të jashtëzakonshme, derisa vet kryetari Alban Hyseni ka thënë se opozita është ajo e cila po shkakton bllokadë totale në Komunë.
Shefit i Grupit të Këshilltarëve Komunal të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu është deklaruar për portalin ‘Front Online’, rreth këtyre akuzave nga Lëvizja Vetëvendosje.
Aliu tha se e gjithë kjo po ndodh si arsyetim për dështimet e tyre në tri vite qeverisje në qytetin e Gjilanit. “Duke dashtë që të arsyetohet për dështimin e tij për 3 vite qeverisje, z. Hyseni e ka zgjedhur që ta paraqet si fajtore për këtë deshtim opoziten dhe LDK-në si parti shumicë në Kuvendin Komunal të Gjilanit”.
“LDK që nga fillimi e ka shtri dorën e bashkëpunimit për qeverisjen komunale në të mirë të realizimit të shumë projekteve të cilat i ka gjetur të programuara kjo qeverisje, si në aspektin teknik edhe në atë financiar. Mirëpo kjo qeverisje nuk ka treguar gadishmëri dhe as zotësi për realizim të projekteve”, u shpreh ai.
Aliu ka thënë se LDK i është përgjigjur ftesës së Hysenit për bashkëpunim, pavarësisht injorancës së tij gjatë takimi që patën disa ditë më parë. “LDK iu ka përgjigjur ftesës së z. Hyseni për të biseduar për çështjet financiare edhe përkundër injorancës së madhe të cilën e ka paraqitur z. Hyseni gjatë këtij takimi. I kemi kërkuar që të shmang shkeljet ligjore me rastin e punësimit të kundërligjshëm me kontrata në vepër, duke e keqpërdorë në këtë mënyrë buxhetin nga taksapaguesit e Komunës”, dekaroi Aliu.
Aliu ka treguar edhe për kërkesat tjera, që LDK ka paraqitur në këtë takim.
“Kërkesë tjetër ka qenë që të anulohet konkursi i DKA-së i ditëve të fundit ku opinioni gjilanas dhe më gjerë është tmerruar nga punësimet familjare të kunatave dhe balldëskave të kryetarit, deputetëve, drejtorit dhe eksponentëve të tjerë të LVV-së”.
“Gjithashtu ka qenë kërkesa për zbatimin e të gjitha vendimeve të Kuvendit Komunal e sidomos që kanë të bëjnë me subvencionet ndaj Handikos, Shoqata e të Vërbërve, Pema, rritja e pagesave ndaj punëtoreve të tregut etj. Dhe e katerta ka qenë që ai të raportoj në Kuvend Komunal sipas detyrës zyrtare dhe sipas ligjeve në fuqi. Të gjitha këto katër çështje nuk janë kushtëzime por detyra dhe obligime që ish dashtë me u krye pa ardhen në këtë pikë”, ka thënë Aliu.
Shefi i asamblistëve të LDK-së në Gjilan: Kryetari Hyseni nuk ka realizuar asnjë projekt
Shefi i Grupit të Këshilltarëve Komunalë, njëherësh nënkryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, z. Avdyl Aliu ka thënë se pavarësisht se Vetëvendosje në Gjilan ka pasur shumicën në Kuvendin Komunal nuk ka arritur të kryej asnjë punë.
“Për gati dy vite të qeverisjës në Gjilan, duke qenë në bashkëqeverisje me subjektet tjera, z. Hyseni e ka pas edhe shumicën në Kuvendin Komunal por edhe me këtë shumicë nuk ka arritur ta kryej asnjë punë dhe asnjë projekt. Edhe e ka pas shumicën në Kuvend edhe nuk ka mund të kryej punë, prej nga tash LDK fajtore për mospunën e qeverisjes së Vetëvendosjës?”, tha ai. “Eshtë obligim dhe detyrë e vet kryetarit të komunës që të bëj shumicën në Kuvend e cila shumicë edhe do ti ofroj siguri në kryerje të punëve dhe projekteve. E keni parë se në çfarë gjendje të rëndë është Komuna e Gjilanit në të gjitha aspektet si nga përformanca, transparenca dhe keqmenagjimi.”, ka deklaruar tutje Aliu.
Aliu u shpreh se LDK si shumicë politike do të vazhdoj ti luftoj keqpërdorimet dhe korrupsionin në Komunë.
“Ne si shumicë politike në Kuvend, jemi për të mbrojtur ligjshmërinë dhe ti lutfojmë keqpërdorimet dhe korrupsionin në komunë”, tha shkurt shefi i LDK-së Avdyl Aliu. Aliu thotë se si LDK janë të gatshëm të punojnë së bashku me qeverisjen aktuale në Gjilan, kur të ketë transparencë të plotë nga kjo e fundit, teksa shton se nuk do të jenë të gatshëm për të votuar buxhet për të afërmit e tyre. “Presim reflektim të z. Hyseni dhe të qeverisjes komunale në këtë aspekt dhe të ecim tutje me të gjitha obligimet dhe detyrat e Kuvendit Komunal. Ne jemi të gatshëm që në kushte të mira dhe në transaprencë të plotë të punojmë në të mirë të projekteve zhvillimore të komunës, por asesi nuk jemi për të votuar buxhet për kunata, balldeska dhe baxhanakë”, ka deklaruar Aliu.
Riad Rashiti i PDK-së: Paaftësia e këtij kryetari ka bllokuar projektet me më prioritet për Gjilanin
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në Gjilan, Riad Rashiti në një prononcim për Front Online ka thënë se paaftësia e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni ka quar në mosrealizimin e shumë projekteve me rëndësi për këtë komunë, teksa ka shtuar se për PDK-në secili projekt është i rëndësishëm.
“Prioritet për PDK-në është secili projekt i planifikuar në buxhetin komunal dhe nga grantet e qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne si PDK të gjitha ato projekte i kemi votuar dhe i mbështesim që të gjitha. Paaftësia e qeverisjes komunale dhe e këtij kryetari të komunës i ka bllokuar ato projekte dhe prioritete”, ka deklaruar ai. Rashiti thekson se një nga projektet me më prioritet për Gjilanin, janë varrezat e këtij qytetit, sipas të cilit qeverisja komunale nuk ka bërë asgjë lidhur me këtë çështje.
“Gjendja është tejet emergjente te varrezat aktuale të qytetit, ku kufomat sot po varrosen mbi të vdekurit më herët. Është tejet shqetësuese dhe alarmuese gjendja aty. Ne si PDK e kemi propozuar që në vitin e kaluar kur është miratuar buxheti 2024 dhe e kemi futur buxhetin për këtë projekt, ndërsa qeverisja komunale ka heshtur për një vit të plotë, asnjë hap nuk e ka bërë fare. E nuk ka prioritet ma të madhe se sa ky problem të zgjidhet”, ka thënë Rashiti.
“Fat i madh sot është me qenë kunata apo balldëska e ndonjërit prej udhëheqësve në Vetëvendosje”
I pari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti ka potencuar se projektet në Gjilan nuk po finalizohen për shkak të Vetëvendosjes, parti kjo që qeverisë në këtë komunë, pasi siq thotë Rashiti, Vv-ja ka për qëllim vetëm të punësoj të afërmit e tyre në institucione shtetërore.
“Arsyeja e vetme pse nuk po realizohen këto projekte, është se Vetëvendosje nuk janë të përgaditur dhe të aftë me udhëheq me komunën, poashtu ju mungon energjia dhe vullneti për me zhvillu komunën dhe qytetin e Gjilanit. Të vetmin angazhim VV në Gjilan e kanë kush më shumë po arrinë me i punësu familjarët e tyre. Fat i madh sot është me qenë kunata apo balldëska e ndonjërit prej udhëheqësve në komunë dhe VV”, ka deklaruar Rashiti.
Ai tutje ka shtuar se bllokimi nuk ka ndodhur nga Kuvendi Komunal por sipas tij e gjithë kjo situatë e krijuar është si pasojë e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni.
“Bllokimi aspak nuk ka ndodhë prej Kuvendit Komunal, për 41 projekte kapitale, për 58 milion euro buxhet suficit që po shkon, janë punë që aspak nuk ka të bëjë me Kuvendin Komunal dhe aspak nuk ka të bëjë me votim, sepse ato tashmë janë të miratuara, buxhetuara e krejta. Gjianin e ka bllokuar totalisht kryetari i paaftë i komunës, e dalja nga kjo situatë është vetëm dorëheqja e tij dhe komuna jonë të shkoj në zgjedhje të parakohëshme locale”, ka thënë Rashiti.
Nazim Gagica nga AAK: Pushteti në Gjilan, i padijshëm, mshtrues dhe përçarës
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) dega në Gjilan, Nazim Gagica në një intervistë për portalin Front Online, njerëzit e pushtetit qeverisës në këtë komunë i ka quajtur të padijshëm, mashtrues dhe përçarës.
Ai ka thënë se zhvillimet e fundit në Kuvedin Komunal të Gjilanit janë si pasojë e dështimit të pushtetit për t`i realizuar premtimet që i kanë bërë ndaj qytetarëve.
“Kemi thënë prej fillimit të këtij mandati qeverisës në Gjilan se pushteti i ri është me mungesë të madhe të përvojës, i padijshëm, mashtrues e përçarës. Zhvillimet e fundit në Kuvendin Komunal janë rezultat i dështimit të pushtetit për t’i realizuar premtimet që i kanë bërë para qytetarëve. Ne si opozitë publikisht kemi shpërfaq gatishmërinë tonë për t’i mbështur të gjitha projektet që janë në interes të qytetarëve, por nuk është në dorën tonë si subjekt opozitar me ia realizu premtimet pushtetit, kjo është e pamundur”, u shpreh ai.
Tutje Gagica ka deklaruar se AAK në Gjilan do të vazhdoj ti mbështes projektet të cilat prekin direkt jetën e qytetarit, por duke mos u përfshirë siç thotë ai në “lojërat e pushtetit”.
“Ne prap zotohemi se do t’i mbështesim projektet që prekin direkt jetën e qytetarit tonë, por jo përmes lojërave të pushtetit, jo për ta amnistuar pushtetin dhe dështimet e tyre. Prioritet duhet dhënë projekteve që prekin interesin e qytetarëve në vija të gjata, jo për zgjedhje dhe jo projekte që vetëm dëmtojnë dhe shpenzojnë xhepin e popullit”, ka thënë Gagica. Gagica ka përmendur edhe Autostradën e Gjilanit, për të cilën thotë se nuk po përfundon dot.
“Kemi autostradën e Gjilanit e cila tanimë është shndërruar në një projekt që nuk mbaron dot. Është bërë kohë e gjatë prej kur ky projekt ka qenë dashtë të përfundoj, ndërsa ende merremi me sa përqind e punimeve kanë përfunduar, sa kanë mbetur e të tilla shaka të pushtetit lidhur me këtë projekt. Hiç më mirë nuk janë as hyrje-daljet e qytetit. Rruga nga fabrika e baterive deri tek Bunari i Përlepnices ende nuk ka përfunduar, ndërsa janë bërë shumë kohë prej kur kjo rrugë ka qenë dashtë të përfundojë. Këto projekte nuk përfundojnë sepse pushteti qendror nuk ka interesim të merret me qytetarët tanë, me Gjilanin, si një Komunë e cila ia ka siguruar pushtetin qendror e udhëheq me Komunën”, deklaroi ai.
Gagica ka thënë se Qeveria Kurti e ka harruar qytetin e Gjilanit dhe sipas tij punët që tashmë i kanë kryer në disa rrugë nuk kanë aspak cilësi.
“Qeveria Kurti është totalisht e pa interesuar të merret me Gjilanin, ndërsa punët që i ka kryer, si përshembull rruga nga Livoçi i Ulët deri në Kllokot, janë bërë shkel e shko, as me minimumin e cilësisë. Njëjtë ka mbetur edhe rruga nga Gjilani në drejtim të Prishtinës. Në gjendje të mjerueshme”, ka thënë Gagica për Front Online.
Kryetari e AAK-së për Gjilan, Nazim Gagica për Front Online ka thënë se Komuna e Gjilanit është në gjendje të keqe si asnjëherë tjetër për shkak të mentalitetit që ka partia që qeverisë në këtë qytet.
“Fatkeqësisht, ky mentalitet që sot qeverisë Gjilanin dhe Kosovën, nuk ka mundësi të bëjë asgjë më. Kanë mbetur edhe pak kohë deri në përfundim të mandasti edhe në nivel nacional edhe në të lokal dhe është e pamundur me bë diçka. Projektet nisin në fillim të mandatit për të përfunduar ose afruar kah përfundimi brenda katër viteve. Gjilani është keq, më keq se kurdo herë, por shpresojmë që pas zgjedhjeve nacionale dhe atyre lokale, do të kemi një mendësi tjetërfare në qeverisje e cila ka me u përkushtu për punë në interes të qytetarëve dhe të Kosovës”, ka deklaruar Gagica.
Ndryshe, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka mbajtur të enjten një konferencë për media. Para gazetarëve, Hyseni ka thënë se asambleistët Komunal të Gjilanit nuk po i votojnë projektet e paraqitura në kuvend, sipas bindjeve të tyre personale, por në bazë të bindjeve politike dhe sipas tij kjo po shkakton edhe bllokadën aktuale.
“Eshtë me rëndësi të theksohet se opozita nuk ka ndonjë harmoni të plotë për lëshim të seancës. Unë mendoj që të gjithë ata asambleistë që janë në Kuvend Komunal duhet të mendojnë me kokën e tyre dhe bindjen e tyre, e jo t’i binden urdhrave të individëve apo bindjeve politike”, ka thënë Hyseni./Front Online/