Policia e Shqipërisë ka finalizuar një operacioni policor në Elbasan, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, ku është arrestuar një 51 vjeçar që ushtronte këtë veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit, gjatë këtij operacioni janë sekuestrohen 40 doza kokainë, 1 aparat celular dhe një peshore elektronike e cila përdorej për peshimin e dozave të lëndës narkotike.
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Elbasan, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “BEFASIA”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi O.P., 51 vjeç, banues në Elbasan. Gjatë hetimit disa mujor të ndjekur me metoda pro aktive nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, rezultoi se ky shtetas merrej me veprimtari kriminale të shpërndarjes së kokainës kryesisht në qytetin e Elbasanit. Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 40 doza me lëndë narkotike kokainë , me peshë totale 39.4 gramë, një aparat celular dhe një peshore elektronike e cila përdorej për peshimin e dozave të lëndës narkotike. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale’, thuhet në njoftim.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve “.