Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka njoftuar se mediat që janë me zyre në kryeqytet do të ndihmohen me një fond prej 100 mijë euro.
Sipas Ahmetit, shumë mediat kanë rrezikuar të mbyllen për shkak të pandemisë.
“Ne kemi vendosur që mediat me bazë/zyre/lokacion në Prishtinë të ndihmohen me një fond prej 100,000 euro. Nesër bëhet thirrje ku mediat ndahen në tri kategori bazuar në numrin e punëtorëve që kanë nën 8 (tetë) punëtorë, nga 8-50 punëtorë dhe mbi 50 punëtorë”, thuhet në njoftimin e Ahmetit.
Ai madje njoftoi edhe për kushtet që mediat duhet t’i plotësojnë për të përfituar nga kjo ndihmë.
“• Të jenë të regjistruar ne Komunën e Prishtinës,
• Të funksionojnë si media profesionale dhe të jenë të regjistruara në institucionet përkatëse (Komisioni i Pavarur për Media)
• Pasqyrat financiare,
• Vërtetimi i pagesës së kontributeve pensionale të punëtorëve”, thuhet në njoftimin e Ahmetit.
Kujtojmë se ditë më parë, Komuna e Prishtinës ka vendosur t’ju ndihmojë të infektuarve me nga 50 euro dhe me 80 euro familjet me asistencë sociale dhe personat me aftësi të kufizuara.