Trajneri i njohur kosovar i futbollit, Ajet Shosholli, ka thënë se për shkak të relacioneve historike të ndjeshme nuk është momenti i duhur që Shqipëria dhe Serbia të bashkëorganizojnë kampionat evropian futbolli.
Shqipëria dhe Serbia janë në pritje të vendimit të UEFA-s më 16 dhjetor, kur do të merret vendimi nëse të dy vendet do të marrin dritën jeshile për të organizuar së bashku Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027.
Shosholli ka folur emisionin “Sport Elite” në RTK.
“Nuk ka qenë koha për ta bërë një organizim të tillë. Më shumë peshë kanë marrëdhëniet tona vëllazërore sesa ky organizim. Nuk është një veprim i mirë, sepse dihen raportet tona me Serbinë, dihet represioni serb mbi Kosovën, ku kemi shumë njerëz të zhdukur, çka është një plagë për të gjithë shqiptarët”, ka thënë Shosholli.
Ai e ka quajtur të pamatur nga ana e Shqipërisë veprimin e bashkëorganizimit me Serbinë. Shosholli ka kujtuar se për shumë shqiptarë, dhimbja e shkaktuar nga represioni serb në Kosovë dhe mungesa e përgjigjeve për fatin e të zhdukurve ende është një plagë e hapur.