Policia e Kosovës është duke zhvilluar një aksion nëpër disa komuna të vendit.
Express merr vesh se dy zyrtarë të Komunës së Istogut janë shoqëruar në Polici për intervistim.
Kryetari i Komunës Haki Rugova, ka thënë se aksioni ka ndodhë nga niveli qendror dhe nuk ka më shumë detaje.
“Polica e ka kry punën e vet, nuk kam ndonjë koment. Kjo ka ndodhë prej nivelit qendror”, ka thënë Rugova.
Aksionin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës është duke realizuar një operacion policor në disa lokacione në vend. Një prej këtyre lokacioneve është edhe Ministria e Bujqësisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se informacione shtesë rreth këtij aksioni do të jepen pas përfundimit të operacionit.
“Mund të konfirmojmë se, Policia e Kosovës është duke e realizuar një operacion policor në disa lokacione, në rajone të ndryshme. Informacione shtesë mund të jipen pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë Kelani.
Aksioni ka nisur mëngjesin e sotëm në Ministrinë e Bujqësisë, në Komunën e Istogut, në Komunën e Lipjanit dhe në Komunën e Podujevës.