Qeveria e Kosovës ka vendosur të rithemelojë Lotarinë e Kosovës, veprimtaria e së cilës ishte ndërprerë vitin e kaluar me mbylljen e lojërave të fatit. Ekzekutivi ka miratuar projektligjin për rihapjen e lotarisë, i cili sipas ministres së Financave do të lejojë vetëm organizimin e lojërave numerike dhe instant. Përveç kësaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kabineti vendosi edhe për ndarjen e 203 mijë eurove për shoqatat e dala nga lufta, mbështetje financiare nga pako për rimëkëmbjen ekonomike.
Me projektligj të veçantë, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte kërkuar nga Kuvendi i Kosovës ndalimin e lojërave të fatit, vendim pas së cilit ishte ndërprerë edhe veprimtaria e Llotarisë së Kosovës, për të cilën kërkohej që të rregullohej me ligj të veçantë.
Qeveria e Kosovës nën drejtimin e Avdullah Hotit, pas hartimit të projektligjit për rihapjen e Lotarisë së Kosovës, e votoi atë në mbledhjen e Qeverisë.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se 20% e mjeteve të fitimit neto të lotarisë, parashihen për qëllime publike, organizata të ndryshme të shoqërisë civile apo joformale.
Derisa kërkoi nga kabineti që të votojnë për këtë projektligj, ajo tha se dispozitat përcaktojnë që Qeveria e Kosovës është aksionar i Lotarisë së Kosovës dhe organi mbikëqyrës i saj është bordi i Lotarisë, me mandate 4 vjeçar.
Bajrami: Nuk po hapim kazino por vetëm Lotarinë e Kosovës me 62 të punësuar
“Ku ligj nuk rihap lojërat e fatit, ky ligj rithemelon lotarinë e Kosovës, lotaria e Kosovës sipas këtij ligji ka të drejtë të organizojë dy lloje të lojërave, janë lojërat numerike dhe lojërat instant, nuk po bëjmë hapje të kazinove apo bastoreve apo lojërave të tjera, thjeshtë po rithemelojmë lotarinë e Kosovës, janë 62 punëtorë të cilët kanë ngelur pa punë dhe tash këta në mënyrë automatike do të punësohen”, tha Bajrami.
Projektligji, siç tha ajo, parashihet të jetë suksesor juridik i ish-subjektit Lotaria e Kosovës, i shuar me ligjin për ndalimin e lojërave të fatit më 2019.
Përveç kësaj, kabineti qeveritar nën drejtimin e Hotit, votoi sot për ndarjen e 203 mijë eurove për shoqata e dala nga lufta dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës, si ndihmë pas situatës së krijuar nga pandemia me Covid-19.
Reçica: 203 mijë euro për shoqatat e dala nga lufta
“Sot para jush paraqes për miratim propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 203 mijë euro për Shoqatat e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së UCK-së si dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës. Ky vendim ka për qëllim përkrahjen financiare të këtyre shoqatave për shkak të gjendjes emergjente të shkaktuar nga Covid-19 dhe gjendjes po ashtu të rënde për funksionimin dhe kryerjen e obligimeve të tyre, si dhe mbështetjen për përmirësimin e shëndetit të invalidëve të luftës, ky fond do të ndahet në kuadër të fondit për rimëkëmbje ekonomike”, tha ai.
Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Selimi Selimi ka marrë mbështetjen e kabinetit për themelimin e grupit punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës në Kosovës.
I njëjti do t’i dorëzojë Qeverisë së Kosovës analizën për mënyrën e themelimit dhe funksionimit të këtij instituti i cili ka më shumë se dy vjet që është shuar./