Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, mirëpret masat e ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së mëtutjeshme të COVID 19.
Nga kjo Shoqatë theksojnë se rritja enorme e numrit të rasteve të prekura me SARS COV 2, që për pasojë ka edhe numrin e lartë të vdekjeve në vend, nuk duhet të tolerohet të vazhdoj më tutje. Prandaj, marrja e masave nga ana e Qeverisë nuk është një zgjidhje alternative por obligative.
“Të vdesin prindërit e gjyshërit tanë të cilët na rritën ne dhe ndërtuan këtë vend, e ne si shoqëri të sillemi sikur nuk po ndodhë asgjë, është jo humane dhe jo etike. Ne e kuptojmë që shëndeti i ekonomisë është më i rrezikuar se asnjëherë tjetër, por pa një shëndet publik edhe ai ekonomik nuk do të na duhet. Gastronomia duhet ta merr pjesën e vet të përgjegjësisë që ka sa i përket shëndetit publik edhe pse i bie barra më e madhe. Por këtë rregull e ka përcaktuar virusi dhe askush tjetër”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.
E ndërkohë të njëjtit kanë kërkuar nga ShSKUK’ja që t’i ktheje shërbimet shëndetësore që janë ndërprerë për pacientë JO-COVID pak javë më parë.
Nga SHSKUK kërkojmë që menjeherë të rikthehen shërbimet shëndetësore që janë ndërprerë për pacientët JO-COVID. Ndërprerja është zgjidhja më e lehtë për ta, por më e vështirë për qytetarët. Ata duhet ta dijnë se aty janë për interesin e qytetarëve jo për të tyre. Ne e kuptojmë se funksionimi normal i këtyre shërbimeve nuk mund të bëhet, por ai duhet të organizohet në atë formë të termineve që nuk e rrezikon as shëndetin e pacientëve, e as të personelit shëndetësor. Shembuj të mirë për këtë janë Klinika e Gjinokologjisë, Neonatologjisë, Onkologjisë etj. Nderprerje e shërbimeve shëndetësore, në emër të mbrojtjes së shëndetit publik nuk shpie në një logjikë normale”.