Dy persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në magjistralen Prizren-Gjakovë.
Kështu ka bërë të ditur për Front Online togeri Shaqir Bytyqi, nga policia e Prizrenit.
Ai tha se shoferi i dehur i ka goditur nga prapa dy vetura dhe se në aksident ishte i përfshirë edhe një veturë e Forcës së Sigurisë.
“Sot me date 23.03.2023 ,rreth orës 06:30 ne rrugën “Ukshin Hoti”, magjistralja Prizren -Gjakovë është raportuar një aksident trafiku. Në aksident kanë qenë të përfshira 3 automjete, dy civile dhe një e FSK. Dy persona kanë pësuar lëndime të lehta, por dëmi material është i madh. Deri te aksidenti ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë kushteve të rrugës nga ngasësi i automjetit të parë (BMW 530), ngasësi ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe me veturën e tij i ka goditur nga prapa dy automjetet tjera. Në konsultim me prokurorin shkaktari I aksidentit ndalet në ndalim policor për 48 orë”, theksoi Bytyqi.