Ministria e Mbrojtjes e rajonit Nagorno-Karabak, i cili kontrollohet nga armenët etnikë, tha të premten se i ka regjistruar edhe 29 ushtarë të vrarë gjatë luftimeve me ushtrinë e Azerbajxhanit.
Kështu, numri i përgjithshëm i të vrarëve në mesin e personelit ushtarak të këtij grupi shkoi në 633, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Përleshja e armatosur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit filloi më 27 shtator. Nuk është e qartë se cila palë e ka nxitur e para fillimin e konfliktit.
Luftimet që nisën muajin e kaluar e që po vazhdojnë edhe këtë muaj kanë arritur në shkallën më të lartë që nga vitet e nëntëdhjeta, kur ishin vrarë rreth 30.000 persona.
Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se i ka bindur palët që të mbajnë armëpushim, por luftimet po vazhdojnë edhe pas marrëveshjes mes ministrave të Jashtëm. Armenia dhe Azerbajxhani e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit.