Me 15 shtator të këtij viti janë hapur të gjitha shkollat në rajonin e Kosovës, por shumë shpejt disa prej tyre edhe u mbyllen. Këtë fat e pati edhe shkolla “Faik Konica”, në Prishtinë, e cila tash e dy javë ka ndërprerë procesin mësimorë për shkak të rasteve të paraqitura me Covid-19.
Pas rasteve të paraqitura në këtë shkollë, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, për Front Online, thotë se kjo shkollë u mbyll me rekomandimin e Institutit të Shëndetësisë Publike.
“Është java e dytë që është mbyllur, dhe tani procesi mësimor zhvillohet online. Në këtë shkollë kanë qenë katër mësimdhënës të infektuar dhe sipas ligjit nëse janë 5% e të punësuarve në shkollë, atëherë mësimi mbahet online. Vendimi është marrë nga Instituti Kombëtare i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë. Na është rekomanduar Komunës që shkolla të mbyllet dhe së bashku e kemi marrë vendimin për mbylljen e shkollës”, thotë ajo për Front Online.
Të njëjtin fat e ka edhe shkolla “Nexhmi Mustafa” në Besi të Prishtinës, e cila është mbyllur në të njëjtën ditë me shkollën “Faik Konica”.
Shala tregon se në këto dy shkolla kanë rezultuar pozitiv tre mësimdhënës dhe një punëtor teknik.
“Deri tani janë mbyllur dy shkolla bëhet fjalë për shkollën ‘Faik Konica’ dhe shkollën ‘Nexhmi Mustafa’. Dy paralele të ndara në dy fshatra ,ku në njërën shkollë janë dy mësimdhënës të infektuar dhe në shkollën tjetër një mësimdhënës dhe një punëtorë teknik. Është mbyllë në të njëjtën ditë me shkollën ‘Faik Konica’, ndërsa të hënën do të hapen të dy shkollat, nëse në ri-testim dalin që mësimdhënësit janë negativ”, ka deklaruar ajo për Front Online.
https://www.youtube.com/watch?v=CYLpwbtSLDg&feature=emb_title