Pas rënies së madhe të eksportit drejt SHBA-së vitin e kaluar, Kosova prej dje do të përballet edhe me tarifën prej 10% në eksport si pasojë e vendimit të fundit të presidentit Donald Trump.
Nga viti 2021 Kosova kishte bilanc pozitiv tregtar me Amerikën, ku eksporti kishte arritur në 123.2 milionë euro, përderisa importi 92.9 milionë euro. Një vit më pas (2022), eksporti kishte shkuar në 131.1 milionë euro, ndërsa importi 69.8 milionë euro. Edhe në vitin 2023 eksporti ishte më i lartë se importi, përkatësisht 103.9 milionë euro me 81.3 milionë euro.
Raporti tregtar me Amerikën ndryshoi në vitin e kaluar, kur eksporti ra në 39.1 milionë euro, ndërsa importi shkoi në 106.5 milionë euro.
Kjo rënie e eksportit pritet të vazhdoj edhe këtë vit pas vendosjes së taksës prej 10%, e cila, sipas ekspertëve të ekonomisë do të jetë një goditje për ekonominë e brishtë të Kosovës.
Kryetari i OEK: Tarifat doganore të SHBA-së do t’i shtrenjtojnë produktet e Kosovës dhe do ta reduktojnë prodhimin
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka theksuar se ky vendim do të ketë një efekt negativ për ekonominë e Kosovës, duke bërë produktet kosovare më të shtrenjta në tregun amerikan.
‘’Ky vendim ka efekt negativ, sepse e shtrenjton produktin e Kosovës e bën më të shtrenjtë në tregun e SHBA-ve, në krahasim me atë që e kishim deri më tani sepse ne s’kemi pasur tatim doganor dhe kjo pa dyshim e shtrenjton dhe në qoftë se na bie interesimi për produktin tonë na tkurret edhe prodhimi’’, tha Rafuna pr FrontOnline.
Shahini: Kosova duhet të heq dorë nga tarifat tregtare doganore të importeve nga Amerika
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), ka kujtuar se në fillim të muajit mars, AKB kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë tarifat doganore për produktet e prodhuara në SHBA, pasi që, siç tha ai, kishin pasur informacione se administrata e Trump ishte duke përgatitur një paketë masash për tarifa të reja për shumë shtete, përfshirë edhe Kosovën. Sipas Shahinit, Qeveria e Kosovës, si gjithmonë, ka vonuar trajtimin e kësaj çështjeje dhe tani Kosova është e taksuar nga Amerika.
‘’ Aleanca Kosovare e Biznesit në fillim të muajit mars ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t’i heq tarifat doganore për produktet amerikane për arsye se ne kishim informacione qw qeveria e Trump ishte duke përgatitur një pako për tarifat e reja për gati të gjitha vendet dhe ne ti paraprijmë kësaj, por qeveria e Kosovës si gjithmonë është e vonuar nuk e ka shqyrtuar këtë çështje dhe sot ne jemi të taksuar nga Amerika’’, tha Shahini për FrontOnline.
Ai gjithashtu theksoi se ky vendim mund të sjellë vështirësi për eksportet e Kosovës në SHBA, duke shtuar se bizneset do të detyrohen të ulin fitimin për të mbajtur çmimet konkurruese dhe për të mbrojtur konsumatorët amerikanë. Shahini tha se eksportet e Kosovës kanë arritur një rekord të lartë prej mbi 350 milionë euro në vitet e fundit, por kjo masë mund të çojë në një rënie të eksporteve në SHBA.
‘’ E vlerësojmë që eksporti i Kosovës tash mund të ketë vështirësi do të duhet t’i nënshtrohet taksës amerikane ose për ta mbrojtur konsumatorin amerikan për mos me rrit çmimin eksportuesit kosovarë duhet ta ulin fitimin për 10%’’, deklaroi Shahini.
Shahini përfundoi duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që, siç ishte kërkuar më 5 mars 2025, të heqë dorë nga tarifat doganore për importet nga SHBA
‘’ Qeveria duhet të jetë falënderuese sepse gjatë gjithë këtyre 25 viteve kemi eksportuar pa taksa kurse kemi importuar me taksa, AKB mbetet në kërkesën e 5 marsit 2025, që Kosova të heq dorë nga tarifat tregtare doganore të importeve nga Amerika’’, përfundoi ai.
Dreshaj : Kosova të heqë tarifat për SHBA-të,marrëdhëniet ekonomike duhet të forcohen, jo të dobësohen
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, ka reaguar ndaj vendosjes së tarifës doganore prej 10% për eksportet e Kosovës nga SHBA, duke e cilësuar këtë masë si një sinjal shqetësues për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Ai ka theksuar se Kosova tashmë ka një përqindje të ulët të eksporteve drejt SHBA-së dhe kjo masë do të përkeqësojë më tej situatën.
‘’Lidhja e Bizneseve të Kosovës vlerëson se vendimi për vendosjen e një tarife importi prej 10% nga SHBA ndaj Kosovës është një sinjal shqetësues për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Krahasuar me shtetet e rajonit, Kosova tashmë është në tabelën me përqindjen më të ulët të eksporteve drejt SHBA-së’’, tha Dreshaj.
Dreshaj ka shtuar se Kosova duhet të veprojë me mençuri dhe vizion strategjik, dhe një hap i domosdoshëm do të ishte heqja e çdo tarife ndaj produkteve amerikane. Sipas tij, kjo do të dërgonte një mesazh të qartë se Kosova është një aleat kyç i SHBA-së, jo vetëm në aspektin politik dhe ushtarak, por edhe në ekonomi.
‘’Në këtë drejtim, Kosova duhet të veprojë me mençuri dhe vizion strategjik. Një hap i domosdoshëm do të ishte heqja e çdo tarife ndaj produkteve amerikane, duke dërguar një mesazh të qartë se ne jemi një aleat kyç i SHBA-së, jo vetëm në aspektin politik dhe ushtarak, por edhe në ekonominë globale’’, ka thënë Dreshaj.
Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për një ekonomi të hapur dhe të orientuar drejt tregjeve globale, dhe SHBA mbetet një partner strategjik i pazëvendësueshëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
‘’ Kosova ka nevojë për një ekonomi të hapur dhe të orientuar drejt tregjeve globale, dhe SHBA mbetet një partner strategjik i pazëvendësueshëm për zhvillimin tonë ekonomik’’, përfundoi Dreshaj.
Bellaqa: Kosova nuk qëndron shumë keq me tarifat e SHBA-ve
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, ka komentuar tarifën doganore të SHBA-ve, duke thënë se Kosova qëndron mirë nëse krahasohet me vendet e tjera dhe ndonëse tarifat do të kenë një ndikim të vogël për Kosovën, është më e rëndësishme të shikohet mundësia për të forcuar marrëdhëniet ekonomike me SHBA-në.
Ai gjithashtu theksoi se ky vendim është pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të mbrojtur industrinë e saj të brendshme dhe për të stimuluar rritjen ekonomike.
‘’Aplikimi tarifave tregtare prej 10% në çdo eksport për SHBA, arsyeja që është aplikuar është se Amerika do t’i mbroje produktet e brendshme dhe ta stimuloje ekonominë brenda shtetit, gjithashtu të krijon të hyra buxhetore për arkën e shtetit ta forcoje ekonomin dhe ekonomitë e mëdha ti sfidon dhe të forcohet ekonomikisht’’, përfundoi Bellaqa.
Dje Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka deklaruar se ky është momenti i duhur për Kosovën të shqyrtojë zbatimin e një aranzhimi të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke hequr tarifat doganore për mallrat amerikane.
Oda Ekonomike Amerikane inkurajon Qeverinë e Kosovës që të veprojë në këtë drejtim dhe ofron mbështetje për përpjekjet për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve amerikane.