Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar një rrjet ndërkombëtar kriminal, i cili kishte organizuar një skemë mashtrimi për importimin e automjeteve luksoze, duke shkaktuar dëme në Thesarin e Spanjës prej më shumë se 17 milionë eurosh në taksa.
Kreu i grupit, i cili jetonte në Gjermani, është arrestuar dhe po pret ekstradimin në Spanjë. Ky person, që kishte 18 urdhra arresti për krime të ndryshme, përfshirë trafik droge dhe mashtrim tatimor, vepronte nën një identitet të rremë për të shmangur drejtësinë.
Gjatë hetimeve, janë kryer më shumë se 12 bastisje në të dyja vendet, ku u sekuestruan 307 mijë e 860 euro në para, bizhuteri dhe automjete luksoze.
Po ashtu, autoritetet konfiskuan pasuri luksoze me vlerë më shumë se 11 milionë euro në Spanjë, Gjermani, Portugali dhe Lituani, raporton Euronews.com.
Skema mashtruese funksiononte përmes kompanive fantazmë, të cilat importonin automjete luksoze në Spanjë pa paguar TVSH-në e kërkuar, duke mundësuar shitjen e makinave me çmime më të ulëta se tregu.
Rrjeti kishte tre degë kryesore: një në rajonin e Levantes, një tjetër në Cordobë dhe Costa del Sol, dhe një të tretë që qëndronte pas bizneseve të përdorura për mashtrim tatimor dhe pastrim parash, sipas autoriteteve.
Skema përdorte individë të cenueshëm si figura administrative, duke u ofruar atyre strehim në këmbim të regjistrimit si administrues dhe partnerë në kompanitë e përdorura për mashtrimin.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të dimensioneve të këtij rrjeti dhe operacioneve të tij.