Shitjet e automjeteve Tesla do të rriten me më shumë se 50 për qind në vitin 2022 krahasuar me vitin e kaluar, pavarësisht problemeve në zinxhirin e furnizimit, tha drejtori ekzekutiv i kompanisë Elon Musk. Prodhuesi amerikan i makinave elektrike raportoi një fitim rekord prej 5.5 miliardë dollarësh vitin e kaluar.
Shitjet u rritën 71 për qind në 53.8 miliardë dollarë në vitin 2021, dhe më shumë se 936,000 automjete iu dorëzuan klientëve, raporton BBC. Kompania paralajmëroi se rritja do të ngadalësohet, sepse problemet në zinxhirin e furnizimit që ndikojnë në prodhimin e makinave vazhdojnë të kufizojnë kapacitetin e saj prodhues.
Musk tha se viti 2021 ishte “një vit testimi për Teslën dhe për automjetet elektrike në përgjithësi”. Ai theksoi se kompania, si të gjithë të tjerët, ka luftuar me sfida në zinxhirin e furnizimit, por pavarësisht kësaj, ka rritur prodhimin me gati 90 për qind vitin e kaluar. Kompania deklaroi se zinxhiri i furnizimit është “faktori kryesor kufizues” i rritjes dhe se ndoshta do të vazhdojë në vitin 2022.
Analistët thonë se Tesla mund të kishte prodhuar deri në 20 për qind më shumë automjete në tremujorin e fundit të 2021 nëse nuk do të kishte probleme me furnizimin. Ata vlerësojnë gjithashtu se rritja e ofrimit të kombinuar me “fitimet mbresëlënëse” të kompanisë është një tregues i rritjes së fortë të kërkesës për makina elektrike./FrontOnline/