Volvo Cars me bazë në Suedi të hënën njoftoi se ka arritur një rritje prej 31 për qind në shitje në muajin maj krahasuar me një vit më parë, duke shitur 60,398 njësi.
Rritja prej 31 për qind vjen pas një periudhe të tensionuar që Volvo e pati në vitin 2022, kur kompania, si prodhuesit e tjerë të veturave, ndjeu efektet e bllokimeve të vazhdueshme të COVID-19 në Kinë, mungesës së çipave dhe kufizimeve të tjera të furnizimit, e të cilat penguan prodhimin.
Teksa Volvo, shumica e aksioneve të së cilës janë në pronësi të Geely, ka filluar të rimëkëmbet nga pengesat e vitit 2022, shifrat e shitjeve janë rritur vazhdimisht gjatë muajve të fundit, raporton Reuters.
Megjithatë, shqetësimet e prodhuesit të veturave nuk kanë mbaruar ende, pasi kostot e larta të prodhimit vazhdojnë. Kjo e detyroi kompaninë që kohët e fundit të fillojë një përpjekje për uljen e kostove, gjë që ka shkaktuar shkurtimin e 1,300 vendeve të punës.
Gjatë muajit maj, kompania suedeze gjithashtu njoftoi se prodhimi i SUV-së të saj plotësisht elektrike – XC30 – u shty deri në vitin 2024.
Në tregun më të madh të kompanisë, Evropë, shitjet u rritën me 40 për qind, ndërsa shitjet në Kinë u rritën me 49 për qind dhe në Shtetet e Bashkuara me 14 përqind, bëri të ditur Volvo Cars përmes një deklarate./FrontOnline/