Shirita të kuq janë lidhur nëpër drunj e shtylla të ndriçimit publik në rrugën “Agim Ramadani’ më saktësisht nga ndërtesa e Kuvendit deri tek Ministria e Arsimit.
Shirita të ngjashëm janë vendosur edhe në rrugën “Rexhep Luci”, e në rrugën “Luan Haradinaj”, të Prishtinës.
Por ende nuk dihet se për çfarë arsye janë vendosur, apo kush i ka vendosur ato.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi ka thënë për Front Online se nuk janë në dijeni se nga kush janë vendosur dhe për çfarë arsye.
“Nuk ka të bëjë me neve, komuna nuk ka lëshuar asnjë leje. Ne e kemi diskutuar në mëngjes këtë çështje dhe askush nuk ka marrë leje për vendosjen e tyre”, ka thënë Nushi për Front Online.
Nushi ka treguar se janë duke u munduar t’a kuptojnë se për çfarë janë vendosur derisa tha se janë në kontakt edhe me Policinë e Kosovës nëse këta të fundit janë në dijeni për një veprim të tillë.
“Vec nëse ka policia, ose ka ndërmarrë diçka, pasi nuk ka paraqitur dikush kërkesë në institucionet e komunës, as në Drejtorinë e Shërbimeve Publike e as në Drejtorinë e Inspeksionit”, ka thënë ai.
Policia Rajonale e Prishtinës të kontaktuar nga Front Online kanë thënë se ende nuk kanë ndonjë informatë apo paralajmërim për çfarë janë vendosur.
“Nuk ka ndonjë paralajmërim, por që do të ju bëjmë të informuar”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Front Online.