Në Itali, kryeministri Giuseppe Conte, të martën vonë nënshkroi një dekret që vendos akoma më shumë kufizime në vend.
Qeveria do t’i njoftojë detajet gjatë ditës. Por, më herët gjatë javës, Konte tha se masat shtrënguese do të përfshinin një ndalim qarkullimi gjatë natës në shkallë kombëtare.
Dekreti i ri do t’i ndalojë njerëzit të hyjnë apo dalin në rajonet më të goditura në vend, që konsiderohen si zona të kuqe, për dy javë dhe do të mbyllë të gjithë dyqanet jo të domosdoshme në ato zona. Por, këtu ka një përjashtim. Parukeritë do të mbeten të hapura dhe aktivitetet sportive do të lejohen vetëm pranë shtëpisë.
“Ekziston një mënyrë e vetme për të dalë nga kjo periudhë dramatike: të qëndrojmë të bashkuar. Gjithnjë”, ka shkruar kryeministri Giuseppe Conte në Facebook, paraditen e të mërkurës.
Por, se cilët rajone do t’i nënshtrohen këtyre masave do të vendoset gjatë ditës pasi ekspertët shëndetësorë të studiojnë shifrat më të fundit të infektimeve dhe kapacitetin e shtretërve në spitale. Masat e reja do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme. Ndalimi i qarkullimit nga ora 22 deri në 5 do të jetë në shkallë kombëtare. Zyrtarët e shëndetësisë në Itali janë të shqetësuar për shtrimet në spital e veçanërisht ato në terapi intensive. Në disa rajone, sipas tyre, kapacitetet janë ezauruar. Një ditë më parë, vendi njoftoi mbi 28 mijë infektime të reja dhe 353 viktima të koronavirusit.