Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, ka shprehur keqardhje për sulmet që po u bëhen gazetarëve në Kosovë, ku së fundi ndodhi rrahja ndaj gazetarit Visar Duriqi.
Ai ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të hetojnë menjëherë këto raste sulmesh.
Tanin mes tjerash përmes një reagimi, shprehet se gazetaria luan funksion kritik duke nxitur llogaridhënien dhe qasjen në informacion në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
”Pas incidenteve të fundit që ndikojnë në sigurinë e gazetarëve dhe lirisë së medias, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, kujton rëndësinë e sigurimit të një ambienti të sigurt dhe të përshtatshëm që u mundëson gazetarëve nga të gjitha komunitetet të hetojnë dhe raportojnë çështjet që prekin Kosovën, siç i ka hije një shoqërie pluraliste dhe demokratike”.
”Në këtë drejtim, PSSP Tanin shpreh keqardhje për sulmet dhe frikësimet kundër gazetarëve, si dhe kufizimin e lirisë së tyre të lëvizjes. Incidente të tilla krijojnë një mjedis të frikës dhe vetëcensurës që privon njerëzit në Kosovë nga e drejta e tyre për të ditur. Gazetaria luan një funksion kritik duke nxitur llogaridhënien dhe qasjen në informacion në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. PSSP Tanin, pra, u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të hetojnë menjëherë sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe i inkurajon ata të rinovojnë përpjekjet e tyre për të siguruar ushtrimin e pakufizuar të lirisë së medias dhe të së drejtës për informacion”, thuhet në reagimin e tyre.