Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të hënën uroi, Joe Biden, për fitoren e presidencës së SHBA-së dhe popullin amerikan për një “ushtrim të demokracisë”.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden dhe zëvëndëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris po vazhdojnë të marrin urime nga liderë të ndryshëm botërorë pavarësisht faktit se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka pranuar humbjen dhe po i konteston zgjedhjet.
“Ai (Guterres) përgëzon presidentin e zgjedhur dhe zëvendëspresidentin e zgjedhur dhe riafirmon se partneriteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara është një shtyllë thelbësore e bashkëpunimit ndërkombëtar të nevojshëm për të adresuar sfidat dramatike me të cilat përballet bota sot”, tha zëdhënësi i Guterresit, Stephane Dujarric, përmes një deklarate, pa i përmendur me emër, Joe Biden dhe Kamala Harris.
Dujarric nuk shpjegoi pse Guterres priti dy ditë për të bërë urimin e tij.
Diplomatët që folën për AFP në kushte anonimiteti thanë se Guterres, mandati i të cilit mbaron në fund të vitit 2021, nuk po planifikonte të kërkonte një mandat të dytë nëse Trump do të rizgjidhej president.
Nga e shtuna, dhjetra udhëheqës botërorë dhe krerë të organizatave ndërkombëtare i shprehën urimet e tyre për Biden dhe Harris.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i cili ishte një nga udhëheqësit e parë botërorë që uroi Bidenin pasi u shpall fitues i zgjedhjeve amerikane më 7 nëntor, foli me presidentin e zgjedhur në telefon më 9 nëntor.
Disa liderë shtetesh ende nuk e kanë uruar Bidenin
“Ne kemi punuar me njëri-tjetrin më parë dhe jemi gati të trajtojmë sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen dy vendet tona”, shkroi Trudeau në Twitter. Ai tha se kishin diskutuar për pandeminë e koronavirusit, ndryshimin e klimës dhe marrëdhëniet me Kinën.
Presidenti amerikan në largim, Donald Trump, nuk e ka pranuar ende rezultatin zgjedhor dhe ka filluar procese gjyqësore në një përpjekje për të ndryshuar rezultatin.
Udhëheqësit e Kinës, Rusisë, Brazilit dhe Turqisë ende nuk e kanë uruar presidentin e zgjedhur Biden.
Kina, Rusia dhe Brazili kanë thënë se do të presin derisa të zgjidhen sfidat ligjore në SHBA që lidhen me zgjedhjet.