Shefi i EULEX-it, Lars – Gunnar Wigermark ka dorëzuar komente për mandatin e Speciales në Tribunalin Special. Në dokumentin e publikuar, kreu i EULEX’it, thotë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk është konsultuar e as takuar me ta para se të propozonte ndryshimin e amendamentit për Specialen. Rrjedhimisht, një propozim të tillë në misionin e sundimit të ligjit e konsiderojnë të papranueshëm. Gazeta Express sjell detajet.
Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, i ka kujtuar presidentit, Hashim Thaçit, vitin 2014-të, kur presidenti i vendit si dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri kishin nënshkruar shkëmbimin e letrave për mandatin e EULEX’it dhe themelimin e funksionimin e një gjykate të specializuar.
Aty përmendet se në prill të atij viti, në Kuvend të Kosovës ishte votuar shkëmbimi i këtyre letrave si marrëveshje ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së, derisa në datën 3 gusht, një vit më vonë, në Kuvend është ndryshuar Kushtetuta duke shtuar një nen të ri për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Shefi i misionit të EULEX’it në komentet që ka dërguar në Speciale pas propozimit të presidentit Thaçi, thotë se përmes këtij pajtimi rregullohet me ligj ajo se çka propozuar i pari i shtetit të Kosovës.
Madje, ai i propozon Kushtetueses që të shohin nëse ky propozim i presidentit bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, saktësisht me të drejtat dhe liritë që janë të garantuara në nenin 2.
Në EULEX thonë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi pavarësisht obligimit ligjor që ka, në asnjë moment nuk e ka konsultuar shefin e EULEX’it, para se të propozojë ndryshimin e amendamentit te kryetarja e Kuvendit të Kosovës, si dhe shton se presidenti gjithashtu asnjëherë nuk e ka konsultuar shefin e misionit të sundimit të ligjit për çështje të kësaj natyre, si ajo e ndryshimit të amendamenteve.
Kreu i EULEX’it thotë se Kushtetuta e Kosovës është ligji më i lartë i vendit, e se obligimet janë të caktuara sipas shkëmbimit të letrave në vitin 2014-të dhe duhet të aplikohen në mënyrë të barabartë me Kushtetutën.
Në të njëjtën ditë kur shefi i EULEX’it ka dorëzuar në Speciale komentet e tij për propozimin e presidentit të Kosovës, ka dërguar komentet për këtë tenë edhe shefi për politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borell.
Edhe Borell përmend shkëmbimin e letrave, ku palët ishin dakorduar se çdo veprim apo angazhim shtesë për lehtësimin e punës së EULEX’it përfshirë konsultimet për procesin e ndryshimin e ligjeve, do të bëhet në koordinim dhe në përputhje me legjislacionin e Kushtetutën e Kosovës.
Nga Brukseli specifikojnë se pavarësisht kësaj, asnjë këshillë apo takim me shefin e misionit të EULEX’it në Kosovë nuk ka ndodhur para se presidenti të dërgojë amendamentin e propozuar te kryetarja e Kuvendit.
Për këtë arsye, Borell thotë se kjo kërkesë e Thaçit është e papranueshme, për arsyet që i përmend edhe në letër.
Ai ka kërkuar nga paneli i Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë çështjen duke pasur parasysh rëndësinë e ruajtjes së Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar si një Gjykatë e paanshme e krijuar sipas ligjit.
Këto komente të Brukselit dhe të misionit të sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, janë dorëzuar në Speciale pas propozimit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi që kishte kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i Tribunalit Special do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Pas propozimit të të parit të shtetit, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i kishte nisur një letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.
Në këtë letër, Osmani kishte kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.
Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.