Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme udhëtimi në shtetet qendrore dhe jugore amerikane deri në brigjet lindore të vendit, duke detyruar mbylljen e shkollave dhe institucioneve qeveritare në disa shtete.
Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në Kansas, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina. Pritej që dëbora të arrinte në të paktën 20 centimetra, së bashku me erëra të forta deri në 72 km/orë.
Uashington, 6 janar 2025 – Pamje të regjistruara pranë ndërtesës së Zërit të Amerikës
Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime për stuhi dimërore nga Kansasi në Misuri deri në Nju Xhersi.
“Disa zona në këtë rajon që do të kenë sasitë më të mëdha të borës, këto mund të jenë reshjet më të mëdha në të paktën një dekadë”, tha shërbimi i motit .
Vorbulla polare e ajrit tepër të ftohtë zakonisht rrotullohet përreth Polit të Veriut. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi e përjetojnë të ftohtin e tij intensiv kur rrymat e ajrit zhvendosen drejt jugut.
Studimet tregojnë se ngrohja e shpejtë në Arktik është pjesërisht shkaktare për frekuencën në rritje të vorbullës polare që zgjeron ndikimin e saj të akullt.
Anulohet mësimi në shkolla
Të hënën shkollat u mbyllën në rang të gjerë. Rajonet në Indiana, Virxhinia dhe Kentaki njoftuan anulimin e mësimit të dielën pasdite.
Shkollat publike në Kentaki anuluan mësimet, aktivitetet jashtë mësimore dhe sportive për afro 100 mijë nxënës.
Shkollat u mbyllën dhe në Merilend, ku guvernatori Wes Moore shpalli gjendjen e emergjencës të dielën dhe njoftoi se insitucionet shtetërore do ishin mbyllur të hënën.
“Siguria e banorëve të Merilendit është përparësia jonë. Ju lutem mos qarkulloni gjatë kësaj stuhie. Merrni masa për familjen dhe shtëpinë tuaj dhe karikoni mjetet e komunikimit në rast se do të ketë një ndërprerje energjisë elektike”, tha zoti Moore përmes një deklarate. /VOA