Administrata e presidentit Biden, i ka bërë thirrje Turqisë që të mos presë anëtarët e udhëheqësisë së Hamasit.
Kjo pasi dolën raporte se disa anëtarë të lartë të grupit luftëtar të lartcekur u larguan nga Katari për në Ankara javën e kaluar.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Mathew Miller, u tha gazetarëve të hënën se nuk është në gjendje të kundërshtonte pretendimin se qeveria turke po priste udhëheqjen e krahut politik të organizatës, raporton Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.
“Ne nuk besojmë se udhëheqësit e një organizate të egër terroriste duhet të jetojnë të qetë kudo”, tha Miller, duke shtuar se kjo vlen veçanërisht në kryeqytetin turk – një “qytet i madh i një prej aleatëve dhe partnerëve tanë kryesorë”.
Transmetuesi publik izraelit Kan tha se anëtarët e Hamasit u nisën nga Doha në Ankara pasi qeveria e Katarit njoftoi se po largohej nga përpjekjet e saj të mëparshme për të negociuar një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit.