×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    SHBA: Afër 8.000 trupa koreanoveriore janë në kufi me Ukrainën

    FrontOnline
    31 Tetor 2024

    Shtetet e Bashkuara thanë më 31 tetor se kanë informacione se afër 8.000 ushtarë të Koresë së Veriut tani janë në rajonin rus të Kurskut, afër kufirit me Ukrainën, dhe Rusia “synon” që t’i dislokojë ata në fushëbetejë kundër forcave ukrainase.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja pret që trupat të dërgohen në vijën e frontit në ditët në vijim. Ai përsëriti se ata do të bëhen “caqe legjitime ushtarake” nëse dislokohen.

    Dislokimi ishte në krye të agjendës teksa Blinken dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u takuan me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Cho Tae-yul, dhe atë të Mbrojtjes, Kim Yong-hyun.

    Rusia ka trajtuar trupat e Koresë së Veriut për përdorimin e artilerisë, dronëve dhe për operacione bazike të këmbësorisë, “duke lënë të kuptohet se ajo synon që t’i përdorë këto forca në operacionet në vijën e frontit”, tha Blinken.

    “Një nga arsyet që Rusia po përdor trupat e Koresë së Veriut është sepse është e dëshpëruar. [Presidenti rus, Vladimir] Putin gjithnjë e më shumë po dërgon gjithnjë e më shumë rusë në luftën vrastare në Ukrainë”, tha Blinken.

    Tani, Blinken tha se Putini po kthen sytë nga trupat koreanoveriore “dhe ky është sinjal i qartë i dobësisë”.

    Ai shtoi se Rusia po pëson afër 1.200 viktima në ditë në lindje të Ukrainës, më shumë që kur ka nisur lufta më 2022.

    Austin e quajti dislokimin e trupave të Koresë së Veriut dhe testimin e një rakete balistike ndërkontinentale nga Pheniani më herët gjatë 31 tetorit si “zhvillime të pamatura”.

    Më herët gjatë ditës, Koreja e Veriut tha se ka testuar një nga raketat e saj më të reja dhe më të fuqishme për të forcuar parandalimin e saj bërthamor.

    Pas këtij testimi, SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar testimin dhe duke thënë se paraqet “shkelje flagrante” të një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Ndryshe, dislokimi i trupave të Koresë së Veriut në Rusi ka rritur shqetësimet për destabilizimin e mëtejmë të rajonit të Azi-Paqësorit dhe të luftës së Moskës kundër Ukrainës. Koreja e Jugut ka ngritur dyshimet nëse teknologjia e re ushtarake e Koresë së Veriut mund të jetë ofruar nga Rusia në këmbim të furnizimit të Moskës me ushtarë.

    Rusia ka zhvendosur disa burime në rajonin kufitar të Kurskut për t’iu përgjigjur ofensivës tokësore që Ukraina nisi në gusht dhe forcat e Moskës po përballen me vështirësi që të zmbrapsin trupat ukrainase.

    SHBA-ja ka vlerësuar se aktualisht janë afër 10.000 trupa të Koresë së Veriut në rusi. Seuli dhe aleatët e tij kanë vlerësuar se numri është rritur në 11.000, ndërkaq Ukraina ka thënë se ky numër është më i lartë, 12.000.

    As Moska, e as Pheniani nuk e kanë pranuar drejtpërdrejt dislokimin e trupave. /REL

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Propozimet e përmendura gjatë bisedimeve të koalicionit të Austrisë sugjerojnë se mund të ketë ndryshime në kërkesat e shtetësisë, me një ndryshim...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë më 1 janar se dhënia e fund e furnizimeve me gaz rus në Evropë, përmes një...
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Një i moshuar 87-vjeçar u përplas nga një automjet në aksin Këlcyrë-Përmet, pranë Urës së Këlcyrës. Automjeti drejtohej nga një 32-vjeçar, i...
    Të tjera
    Bota/Rajoni02 Janar 2025
    Propozimet e përmendura gjatë bisedimeve të koalicionit të Austrisë sugjerojnë se mund të ketë ndryshime në kërkesat e shtetësisë, me një ndryshim...
    Lajme02 Janar 2025
    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dërguar telegram ngushëllimi për familjen Berisha me rastin e vdekjes së ambasadorit dhe ish-zv.ministrit, Anton Berisha....
    Vip02 Janar 2025
    Rap-artisti i njohur, Don Xhoni, viteve të fundit ka qenë tejet i komentuar për jetën personale. E më së shumti u përfol...
    Lajme02 Janar 2025
    KFOR ka bërë të ditur se ushtarët amerikanë që janë pjesë e këtij misioni në Kosovë, kanë kryer trajnime në hedhjen e...
    Lajme02 Janar 2025
    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i prekur thellë nga vdekja e ambasadorit dhe ish-zv.ministrit, Anton Berisha. Haradinaj në...
    Kronika02 Janar 2025
    Aksioni i zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës kundër drogës në rrugën ”Bejtush Gërbeshi”, rezultoi me...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.