Policia e Kosovës në Rajonin e Ferizajt ka arrestuar sot dy vajza kosovare, nën dyshimin se ato kanë shantazhuar viktimën I.V.
Siç thuhet në komunikatën e Policisë, S.K dhe SH.K e kanë shantazhuar viktimën I.V duke i kërkuar 30 mijë euro për ta hequr një padi ndaj vëllait të viktimës për një rast të mëhershëm.
Të dy vajzat janë kapur në flagrancë derisa kishin shkuar për të marrë shumën e kërkuar. Të dyshuarës S.K i është caktuar masa e paraburgimit, derisa SH.K është lëshuar me procedurë të rregullt.
“Hetuesit e Sektorit rajonal të hetimeve –DRP Ferizaj Ferizajt, kanë arrestuar dy të dyshuara S.K . (f/Kosovare /36 vjeçare) dhe SH.K.(f/Kosovare ,33 vjeçare) me dyshimin e bazuar se të dyshuarat kanë kryer veprën penale të shantazhit ndaj viktimës I.V. (m/Kosovar 43 vjeç)”, thuhet në komunikatë.
“Për disa ditë rresht, dy të dyshuarat , në mënyrë sistematike e kishin shantazhuar viktimën duke i kërkuar një shumë parash prej 30.000 Euro për të tërhequr padinë ndaj vëllaut të viktimës për një rast të mëhershëm i cili gjindet në paraburgim”, thekson tutje njoftimi.
“Të gjitha veprimet e hetuesve policorë janë bërë në koordinim me Prokurorinë e shtetit dhe të dyshuarat janë arestuar në flagrancë derisa ishin duke i marrë 30.000 euro nga viktima.Me urdhër të Prokurorit të Shtetit në Ferizaj, ndaj të dyshuarës së parë S.K. është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa e dyshuara tjetër SH.K.lirohet në procedurë të rregullt.Rasti pas kompletimit do të procedohet në Prokurori”, përfundon njoftimi