Rezoluta për mbështetjen financiare të Policisë së Kosovës e iniciuar nga PDK-ja u bojkotua edhe njëherë nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend gjatë së enjtes.
Ndërsa, vetëm një ditë më vonë kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se kërkesat e Policisë janë prioritet i qeverisjes së tij.
Ai tha se duhet të ketë kategorizime e klasifikime në mënyrë që mos të krijohet pabarazi për këtë kategori.
Për të adresuar të gjitha kërkesat, ai pohoi se u duhet edhe më shumë kohë, për siç tha të mos bëjnë gabime e të minimizohen defektet, shkruan Front Online.
Për këtë dhe çështje të tjera në një intervistë për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Pushteti nuk po e përkrah rezolutën për Policinë, Shala: E pakuptueshme kjo neglizhencë
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala në një intervistë për Front Online ka thënë se është e pakuptueshme se si pushteti nuk po e përkrah një kërkesë siç thotë ai minimaliste të Policisë.
“E pakuptueshme dhe e pasqarueshme neglizhenc, papërgjegjësia dhe sabotimi që po iu bëhet institucioneve të vendit e veçanërisht atyre të sigurisë me mosfunksionalizimin e tyre me përmbushjen e obligimeve financiare dhe logjistike si asnjëherë tjetër që kanë nevojë Policia e Kosovës. Pra nuk mund ta kuptojmë që institucionet e shtetit që udhëheqin dhe menaxhojnë me institucionin më vital të shtetit në njërën anë dhe në anën tjetër të mos përmbushin kërkesat minimaliste të Policisë”, ka thënë ai.
I, pyetur se a qëndron ajo se opozita po e bën këtë për çështje politike ashtu siç po deklarojnë nga pushteti Shala ka thënë se është vet mazhoranca që po e keqpërdor edhe operacionet e Policisë, edhe mënyrën e menaxhimit e gjithçka tjetër.
“Ç’ është e vërteta politikisht ka vepruar dhe po i keqpërdor edhe mënyrën e menaxhimit, edhe mënyrën e operacioneve edhe mënyrën e gjithçka tjetër mazhoranca. Policia i ka kry detyrat e veta ligjore e kushtetuese, e mazhoranca i ka keqpërdor ato deri në skajshmëri me bazë dyshimi që edhe i ka keqpërdor ne disa raste veçanërisht në aksionet e fundit siç është rasti me rrethimin e grupit kriminal të Serbisë në Banjskë”, ka shtuar Shala.
Mosdekretimi i kryeprokurorit, Shala: Presidentja mos të qaj e të vajtojë se është kërcënuar
Ditë më parë presidentja e vendit Vjosa Osmani trego se ka marrë vendim që mos ta dekretojë kryeprokurorin e shtetit.
Madje, ajo në një konferencë për media tha se pikërisht për këtë çështje edhe është kërcënuar.
E, deputeti i PDK-së, Ferat Shala thotë për Front Online se derisa presidentja thotë se është kërcënuar dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim atëherë si ndihet qytetari i thjeshtë.
“Unë konsideroj që presidentja është vonuar shumë, presidentja ka bërë edhe gabime të tjera kur paralajmëron që është e kërcënuar, dhe kur kërcënohet presidentja dhe s’kemi asnjë veprim si ndihet qytetari, si ndihet ndërmarrësi, si ndihet zyrtari i thjeshtë , punëtori i thjeshtë. Pra, është për keqardhje veprimet që i dëgjon nga niveli më i lartë i shtetit. Kur e dëgjon duke qarë, e vajtuar presidenten çka pret nga instancat tjera, pra nuk do të duhej të ndodhë diçka e tillë. Organe ka, ajo është vet pozicioni më i lartë ligjor dhe kushtetues dhe do të duhej të vepronte me kohë me fuqinë e ligjit, me fuqinë e Kushtetutës e jo të del pas kaq muajsh të thotë jam e kërcënuar, e shantazhuar e shumë çka tjetër”, është shprehur ai.
Ai, ka përmendur edhe disa fotografi ku presidentja gjatë vizitës zyrtare që ka pasur në Kroaci është paraqitur me armë në dorë duke thënë se si mund ta sabatojë rezolutën për trupa që e sigurojnë këtë shtet.
“Në anën tjetër na jep imazhe duke përdorë armë, e në anën tjetër e saboton rezolutën për trupat humane të shtetit që e mbrojnë këtë shtet dhe e sigurojnë këtë shtet”, ka thënë ndër të tjera Shala.
Shala: Qeveria Kurti nuk po investon, të rinjtë po ikin e pritet që kjo shkallë të rritet ende
Deputeti i PDK-së, njëherit kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, në një intervistë për Front Online ka folur edhe për investimet në vend nga Qeveria Kurti.
Sipas tij, kjo qeveri po i mbush gati tri vjet në pushtet dhe investimet e saj nuk po shihen askund.
“Tashmë Qeveria është në fund të vitit të tretë qeverisës dhe fatkeqësisht ne nuk shohim investime të rëndësishme në infrastrukturë, në pjesën e prodhimit vendor, nuk shohim investime as në pjesën e planifikimit dhe mjedisit hapësinor, në arsim, në shëndetësi, përkundrazi sanksione kemi në të gjithë mekanizmat e sigurisë”, ka thënë Shala për Front Online.
Ndërsa, për investime kapitale ka deklaruar se është shkalla më e ulët e realizimit të tyre.
“Në anën tjetër ne e kemi shkallën më të ultë të realizimit të investimeve kapitale pra aktualisht e kemi 18, 19 dhe kjo tregon që nuk është problemi që nuk kemi mjete, s’kemi fonde por nuk ka kush menaxhon me to, apo mund të themi që është keqmenaxhim. Si pasojë e kësaj shumë kompani vendore po mbyllin bizneset e tyre, si pasojë e mos hapjes së vende të reja të punës me qindra e mijëra të rinjë po largohen nga Kosova dhe pritet të kjo shkallë fatkeqësisht të rritet”, është shprehur ai
Shala: Është e habitshme që s’kemi asnjë plan nga Qeveria për ta parandaluar rritjen e inflacionit
Inflacioni në muajin shtator i rrit në 4.2%.
E, për këtë deputeti i PDK-së, Ferat Shala kritikon Qeverinë duke thënë se është e habitshme që nuk ka asnjë plan veprimi
“Është e habitshme prapë po them se si nuk kemi asnjë veprim, plan apo koordinim apo ndonjë tip operacioni për të parandaluar inflacionin dhe kjo mund të ishte me politika fiskale, mund të ishte me politika tjera logjistike, mund të ishte me politika të stimulimit të prodhimit vendor dhe çka ndodhë?”, ka thënë ai, për Front Online.
Shala deklaron se si rezultat i keqpolitikës qeverisëse në energji obligohemi që të jemi importues të energjisë.
“Në vend që ne të kemi këto politika stimuluese në mënyrën e të bërit biznes, në prodhimin vendor ne stimulojmë konsumin e energjisë që rritet duke i subvencionuar pajisjet që janë krejt import, tregtarët që me meritë na ofrojnë shërbime dhe teknologji që prodhohet jashtë vendit, buxheti i Kosovës i financon, në anën tjetër nuk financojmë në prodhimin e energjisë vendore dhe ne nuk kemi kapacitete për të përmbush këtë konsum. Tani obligohemi që si rezultat i keqpolitikës qeverisëse në energji obligohemi që të jemi importues të energjisë dhe dihet që tashmë importues të energjisë janë kompanitë si me thënë sllave të cilat jo larg janë disa sektorëve të kësaj qeverie”, ka shtuar ndër të tjera ai./Front Online