Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, njëherit iniciuesi i debatit të sotëm parlamentar për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Shala theksoi se ketë debat parlamentar e kemi iniciuar për të diskutuar në lidhje me vazhdimin e mëtutjeshëm të Institucioneve të Serbisë që të mbajnë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë dhe të komuniteteve tjera, të rrëmbyer nga shteti Serb gjatë luftës gjenocidare që Serbia e ka bërë në Kosovë, e gjithë këta civil ende vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Gjithashtu, shefi i GP NISMA, tha se, me datën 28 shtator 2020, në një televizion të Serbisë, ish Ministri i jashtëm, tash kryetar i Parlamentit të Serbisë Ivica Dacic, fajësoj dhe kërcënoj serbët që tregojnë se ku ndodhen varrezat masive me civilë shqiptar në territorin e Serbisë.
“Të gjithë ata që kanë njohuri për periudhën e luftës në Kosovë e dinë fare mirë se Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Ministrit të Informatave në qeverinë e atëhershme të Serbisë, dhe Ivica Daçiq, në cilësinë e zëdhënësit të Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit, ishin dy figurat politike më të angazhuara në strategjinë e fshehjes së gjurmëve të gjenocidit që ky shtet kishte kryer kundër shqiptarëve”, ka thënë Shala.
Po ashtu, deputeti Shala ka thënë se, për Nismën Socialdemokrate nuk ishin të papritura deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kur mohoi përgjegjësinë e shtetit të Serbisë në aktin e gjenocidit në fshatin Reçak dhe kur u përpoq që për masakrimin e civilëve shqiptarë në këtë fshat të fajësonte Ëilliam Ëalkerin dhe ushtarët e UÇK-së, siç nuk janë të papritura kërcënimet e Ivica Daçiqit drejtuar qytetarëve të Serbisë që tregojnë se ku janë të fshehura kufomat e civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Shala ka thënë se, në kohën kur Serbia zbatoi politikën e gjenocidit në Kosovë ajo kishte vetëm një qëllim; të shkatërronte shqiptarët si grup kombëtar, etnik dhe fetar i ndryshëm nga serbët! Mjaftonte të ishe shqiptar dhe me automatizëm shndërroheshe në objekt që duhej shkatërruar përmes vrasjes, dhunës seksuale apo spastrimit etnik, ka thënë Shala.
“Unë bashkë me deputetët kërkues të këtij debati, kërkojmë dhe poashtu besojmë që pas përfundimit të debatit, nga ne si Kuvend i Republikës së Kosovës, si përfaqësues legjitim të popullit të Kosovës, ti kërkohet BE-së, SHBA-ve dhe institucioneve relevante ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më shpejtë që të jetë e mundur, për ta detyruar Serbinë të ndriçojë tërësisht fatin e këtyre civilëve të zhdukur”, ka theksuar shefi i GP NISMA-AKR, Endrit Shala.
Fjala e potë e shefit të Grupit Parlamentar NISMA-AKR:
“Ashtu siç e parasheh edhe rregullorja e punës së Kuvendit , Unë me mbështetjen edhe të 6 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës:
Deputetit, Fatmir Limaj, Deputetja Mirlindë Sopi, Deputetja Arbëreshë Krasniqi, Time Kadria, Ilir Ferati dhe deputeti Fidan Rekaliu kemi kërkuar që Kuvendi të mbajë debat parlamentar, ku do të diskutojmë në lidhje me vazhdimin e mëtutjeshëm të Institucioneve të Serbisë që të mbajnë të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë dhe të komuniteteve tjera, të rrëmbyer nga shteti Serb gjatë luftës gjenocidare që Serbia e ka bërë në Kosovë, e gjithë këta civil ende vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Ju të gjithë besoj që edhe e keni parë nga raportimet mediale, psh.: qysh me datën 28 shtator 2020, në një televizion të Serbisë, Ish Ministri i jashtëm, tash kryetar i Parlamentit të Serbisë Ivica Dacic, fajësoj dhe kërcënoj serbët që tregojnë se ku ndodhen varrezat masive me civilë shqiptar në territorin e Serbisë.
Të nderuar deputet,
Në fillim të fjalës sime desha të rikujtoj disa fakte që edhe botërisht janë të njohura:
– Gjatë luftës në Kosovë, me qëllim të shkatërrimit të tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve etnik, forcat serbe kryen vrasjet, plagosjet dhe gjymtimet e dhjetëra mijëra civilëve shqiptarë dhe komuniteteve tjera , njerëz këta të pafajshëm, në mesin e të cilëve disa mijëra gra, fëmijë dhe pleq;
– Ndaj mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe të komuniteteve tjera, u ushtrua dhunë seksuale në funksion të shkatërrimit të gruas shqiptare, si bartëse e trashëgimisë kombëtare;
– Dëbuan me forcë mbi 1 milion qytetarë shqiptarë dhe të komuniteteve tjera, në funksion të spastrimit etnik të Kosovës;
– Dhe në fund, pas tërheqjes nga Kosova, forcat serbe morën me vete mijëra civilë shqiptarë me të vetmin qëllim që të fshiheshin gjurmët e krimit të gjenocidit dhe në këtë mënyrë t’i shmangeshin përgjegjësisë së drejtpërdrejtë apo të tërthortë të atyre që ishin të përfshirë në kryerjen e krimit më të shëmtuar dhe më të përbindshëm që njeh historia njerëzore.
Në vend që Serbia të pranonte krimet e kryera gjatë luftës, të bashkëpunonte me komunitetin ndërkombëtar për ndëshkimin e krejt zinxhirit të njerëzve përgjegjës për krime dhe të kërkonte falje për këto krime, politikanët e vjetër të Beogradit, të ricikluar në institucionet e reja shtetërore edhe pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit, aplikuan strategjinë e “fshehjes së krimit”.
Përveç periudhës së shkurtër kohore kur Serbia udhëhiqej nga Zoran Gjingjiq, kur u zbuluan disa varreza masive dhe u kthyen mbetjet mortore të mbi një mijë civilëve shqiptarë të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, të gjitha institucionet shtetërore të këtij shteti vazhdojnë strategjinë e fshehjes së krimit të gjenocidit në Kosovë.
Madje edhe sot kur kemi hyrë në dekadën e tretë nga koha e krimeve më të rënda që ka përjetuar ndonjëherë populli shqiptarë i Kosovës, mbi 1600 familje shqiptare jetojnë në ankth të përditshëm për arsye se nuk dinë asgjë për fatin e të afërmve të tyre.
Procesi i riciklimit të kuadrove të regjimit të moçëm, të udhëhequr nga krimineli Sllobodan Millosheviqi, në kreun e institucioneve shtetërore të “Serbisë së Re”, ishte indikator i qartë i vendosmërisë për të vazhduar politikën e vjetër edhe në kohë të reja.
Të gjithë ata që kanë njohuri për periudhën e luftës në Kosovë e dinë fare mirë se Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Ministrit të Informatave në qeverinë e atëhershme të Serbisë, dhe Ivica Daçiq, në cilësinë e zëdhënësit të Partisë Socialiste të Sllobodan Millosheviqit, ishin dy figurat politike më të angazhuara në strategjinë e fshehjes së gjurmëve të gjenocidit që ky shtet kishte kryer kundër shqiptarëve.
Fatkeqësisht gjatë gjithë kohës kur u zhvilluan bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këta dy kriminelë ishin në krye të institucioneve të këtij shteti.
Prandaj për Nismën Socialdemokrate nuk ishin të papritura deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kur mohoi përgjegjësinë e shtetit të Serbisë në aktin e gjenocidit në fshatin Reçak dhe kur u përpoq që për masakrimin e civilëve shqiptarë në këtë fshat të fajësonte Ëilliam Ëalkerin dhe ushtarët e UÇK-së, siç nuk janë të papritura kërcënimet e Ivica Daçiqit drejtuar qytetarëve të Serbisë që tregojnë se ku janë të fshehura kufomat e civilëve shqiptarë, të vrarë gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës
Në kohën kur Serbia zbatoi politikën e gjenocidit në Kosovë ajo kishte vetëm një qëllim:
TË SHKATËRRONTE SHQIPTARËT SI GRUP KOMBËTAR, ETNIK DHE FETAR I NDRYSHËM NGA SERBËT!
Për këtë arsye, gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit, forcat serbe nuk pyetën askënd nëse ishte i kësaj partie politike apo i partisë tjetër; Ata nuk pyetën askënd nëse ishte mysliman apo katolik; Ata nuk shikuan as çfarë moshe kishin:
MAJFONTE TË ISHE SHQIPTAR DHE ME AUTOMATIZËM SHNDËRROHESHE NË OBJEKT QË DUHEJ SHKATËRRUAR PËRMES VRASJES, DHUNËS SEKSUALE APO SPASTRIMIT ETNIK.
Prandaj, si përfaqësues të një kombi që ka përjetuar gjenocidin, ju ftojmë që t’i lëmë anash dallimet partiake dhe njëzëri të kërkojmë nga përfaqësuesit e institucioneve relevante ndërkombëtare:
– Që të ndërhyjnë energjikisht ndaj vazhdimit të fshehjes së krimit të gjenocidit dhe të detyrohet Serbia të ndriçojë urgjentisht fatin e mbi 1600 civilëve që ende vazhdojnë të trajtohen si “të zhdukur”.
Pa ndriçimin e plotë të krimit të gjenocidit dhe pa ndëshkimin e tërësishëm të pjesëtarëve të ndërmarrjes kriminale serbe që kreu gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë nuk ka as paqe dhe as stabilitet të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës.
Të nderuar kolegë Deputet,
Unë bashkë me deputetët kërkues të këtij debati, kërkojmë dhe poashtu besojmë që pas përfundimit të debatit, nga ne si Kuvend i Republikës së Kosovës, si përfaqësues legjitim të popullit të Kosovës, ti kërkohet BE-së, SHBA-ve dhe institucioneve relevante ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më shpejtë që të jetë e mundur, për ta detyruar Serbinë të ndriçojë tërësisht fatin e këtyre civilëve të zhdukur.”