Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar për “Front Online” se pas gjobës nga Gjykata ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti nëse i njëjti refuzon paraqitjen mund të dënohet me burg për 30 ditë.
“Pas shqiptimit të gjobës sërish kërkohet që Kurti të paraqitet për të dëshmuar, por nëse nuk paraqitet për të dëshmuar, pason mundësia e burgosjes së tij deri në 30 ditë, sipas Kodit të procedurës penale”, shprehet Shala.
Tutje, Shala thotë se refuzimi i ftesës për t’u paraqitur si dëshmitar në Prokurori nuk janë parimet e një qeverisje që lufton korrupsionin.
Sipas ti, Qeveria duhet të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për ta luftuar korrupsionin.
“Nuk duhet të shohim skema të tilla nga kryeministri, duke refuzuar ftesën e Prokurorisë. Parimet e qeverisjes së mirë dhe antikorrupsion duhet që Qeveria të bashkëpunojë me institucionet e sistemit të drejtësisë për të luftuar korrupsionin dhe jo të shohim skema të tilla të refuzimit”, deklaroi Shala për “Front Online”.