Shefi i Grupit Parlamentar Veprimi Demokratik në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka treguar entuziazmin e banorëve të Luginës së Preshevës pas aktivizimit të idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.
I ftuar në ‘Balkan Talks’ në Euroneës, Kamberi ka sqaruar edhe arsyen përse Lugina e Preshevës duhet bashkëngjitur Kosovës.
“Nëse flas nga aspekti i dëshirave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Jo vetëm dëshirë, ne kemi edhe referendum politik, për krijimin e një autonomie politiko-territoriale. Të gjitha proceset që i kemi kaluar deri më tani, po dëshmojnë se në Serbi nuk ka mekanizma juridik që t’i ofrojnë mbështetje shqiptarëve të Luginës”, ka deklaruar Kamberi.
Kamberi tutje ka thënë se, në rast se nuk vihet në shqyrtim nga delegacioni kosovar shkëmbimi i territoreve, përfaqësuesit kosovar për dialogun duhet ta kërkojë masën e reciprocitetit në të drejtat e serbëve në Kosovë.
Deputeti shqiptar në kuvendin serb ka folur edhe për BE’në, duke thënë se unioni europian e ka harruar Luginën e Preshevës.
“Të zgjohet ndërgjegjja e fjetur e bashkësisë ndërkombëtare, duke u orientuar për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi. BE e ka harruar në tërësi Luginën e Preshevës. Çështjet e pakicave po konsiderohen si sekondare nga unioni evropian. Qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare më shumë pëlqejnë stabilokracinë sesa demokracinë”, ka thënë ai.