Rreth 19 nxënëse në Gjakovë kanë lënduar veten të ndikuar nga një video- lojë një rrjetin social Tik – Tok.
Lidhur me këtë rast, zëdhënësi i policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi tha për lajmi.net, se fillimisht me 07.10.2024, nga Drejtoresha e DKA-së në Gjakovë ishte informuar se tri nxënëse janë viktima të fenomenit të vet–lëndimit, derisa me 08.10.2024 , ishin raportuar edhe dhjetë raste të tjera të ngjashme, ndërkaq dje u raportua se edhe gjashtë nxënëse të tjera e kishin lënduar vetën në periudha të ndryshme kohore.
“Viktimat femra kosovare të mitura, janë dërguar në tretman mjekësor. Më vonë, me datën 08.10.2024 janë intervistuar edhe dhjetë nxënëse të tjera, mbi dyshimin se edhe këto kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore.”, tha Elezaj.
E në lidhje me këto zhvillime dhe rritjen e numrit të nxënësve të lënduar nga dita e raportimit deri më sot, Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova Baçi tha për lajmi.net se në lidhje me këtë çështje janë ndërmarrë veprime konkrete.
“Numrin e konfirmuar të rasteve e kemi 19-të“, nuk është rritur për fat të mirë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq lidhur me veprimet e marra Kumnova-Baçi tha se kanë filluar takimet urgjente me prindër ku të pranishëm janë edhe zyrtarët policor.
“Kemi filluar takimet urgjente me prindër ku të pranishëm janë edhe zyrtarët policor”, ka thënë ajo
Tutje ajo tha se kanë ndaluar rreptësishtë telefonat në objektet shkollore dhe se po vazhdohet me kontrolle pa u ndalur në shkollë.
“Kemi ndaluar rreptësishtë telefonat në objektet shkollore dhe do të vazhdojmë kontrollet pa u ndalur në shkolla”, tha Kumnova-Baçi.
Sfida e lëndimit të vetes me mjete të mprehta siç është thika kishte nisur tek ne nga viti i kaluar.
Kjo sfidë e “marrë” apo inspiruar nga rrjeti social Tik-Tok, vitin që lamë pas pati lënë të vetëlënduar rreth 15 nxënës në Fushë-Kosovë.
Përdorimi i këtij rrjeti social pa kurrfarë kontrolli është duke shkaktuar vazhdimisht probleme tek shumë të mitur, ndër to edhe lëndimet psikike e fizike.
Një sfidë e tillë si filli u shfaq në vende të ndryshme të botës, derisa tek ne është aktivizuar edhe më tepër tani.