Nga të gjitha trojet shqiptare – Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Mal i Zi – shumë klube shqiptare do të marrin pjesë sivjet në garat evropiane në futboll.
Gjegjësisht, 11 klube do t’i përfaqësojnë sivjet shqiptarët në fazën paraeliminatore të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës, raporton FrontOnline.
Nga Kosova, në Evropë pritet të marrin pjesë klubet si Prishtina, Drita/Ballkani dhe Dukagjini/Llapi, ku kryeqytetasit luajnë në Ligën e Kampionëve, ndërkaq dy skuadrat tjera në Ligën e Evropës.
Nga ana tjetër, prej Shqipërisë, sivjet pritet të dalin në Evropë klubet si Teuta, Partizani, Laçi dhe Vllaznia, derisa nga Maqedonia e Veriut Shkëndija e Tetovës, Shkupi dhe Struga.
Dhe për fund, historinë e ka shkruar Deçiqi nga Mali i Zi, klubi shqiptar që këtë edicion u inkuadrua në elitë, dhe tashmë e ka siguruar vendin e dytë në tabelë si dhe finalen e kupës, derisa sivjet do t’i shijojë paraeliminatoret e Ligës së Evropës.
Përfaqësimin e klubeve shqiptare në Evropë e ka komentuar edhe ish-futbollisti i mirënjohur nga Kosova, Genc Sermaxhaj.
Ish-futbollisti i Dritës dhe Gjilanit ka deklaruar për FrontOnline se pjesëmarrja e klubeve shqiptare në garat evropiane iu sjell dobi këtyre klubeve, sidomos në aspektin financar.
“Sigurisht se pjesëmarrja e skuadrave shqiptare në garat evropiane është e mirëseardhur. Së pari, këto skuadra përfitojnë me pjesëmarrjen financiarisht sa herë që kalojnë ndonjë rund, e dyta mund të përfitojnë edhe me shitjen eventuale të ndonjë futbollisti në Evropë”, ka deklaruar fillimisht Genc Sermaxhaj, duke vazhduar:
“Më pastaj, me përfitimet e Evropës, në vendin tonë për edicionin vijues, skuadrat janë më komode dhe më të fuqishme pasi iu mundësohet nga financat që kanë për të bërë transferime më cilësore brenda dhe jashtë vendit”.
Edhe sivjet, trajneri i Dritës U19 nuk pret ndonjë “befasi” të madhe nga klubet shqiptare në garat evropiane.
“Se a do ta kalojnë ‘pragun’ dhe ndonjëhera nga këto të plasohet në fazën e grupeve, jam shumë skeptik. I kemi parë edhe edicionet e kaluara edhe paraqitjet e tyre në ato ndeshje. Jemi pak larg dhe mundësitë për fazën e grupeve janë të vështira”, tregoi.
Për fund, ai thotë se një befasi ka kapacitet ta shkaktojë vetëm Shkëndija e Tetovës.
“E vetmja në të cilën mund të shpresojmë sërish është Shkëndija e Tetovës. Është nivel tjetër sa i përket mënyrës se si luan dhe qasjes së saj profesionale. Por, nuk besoj te befasia as këtë edicion”, përfundoi të martën për FrontOnline Genc Sermaxhaj./FrontOnline/