×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbisë i përmenden marrëdhëniet me Rusinë e Kinën në Raportin e Progresit: Përparimi drejt BE-së varet nga normalizimi me Kosovën

    FrontOnline
    28 Tetor 2024

    Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, dialogu me Kosovën, si dhe zgjedhjet e parakohshme janë aspektet kryesore të kapitujve politikë në Raportin e Progresit për Serbinë, të përpiluar nga Komisioni Evropian.

    Ky raport vjetor, me të cilin vlerësohet përparimi i vendeve kandidate për anëtarësim në BE, pritet të publikohet më 30 tetor.

    Por, burime të afërta me Radion Evropa e Lirë kanë pasur tashmë qasje në draftin e tij.

    Sipas tyre, Serbia, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, ka vepruar vetëm pjesërisht në përputhje me qëndrimet e BE-së në forumet ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

    Dokumenti thekson se Serbia ka mbajtur një nivel të lartë të marrëdhënieve me Federatën Ruse dhe se ka intensifikuar marrëdhëniet me Kinën – gjë që “ngre pikëpyetje për drejtimin strategjik” të saj.

    Në raport, Komisioni Evropian rikujton se nga Serbia pritet që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj me qëndrimet e miratuara nga BE-ja, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.

    Dialogu është kyç

    Draft-raporti, po ashtu, thekson se përparimi i Serbisë drejt BE-së do të varet në masë të madhe nga progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

    Aty thuhet se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e arritur nga udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në shkurt të vitit 2023, si dhe Aneksi për zbatimin e saj, janë dokumente ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.

    “Asnjë formalitet, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me miratimin e tij, nuk duhet ta pengojë progresin në zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në draftin e dokumentit, për të cilin është njoftuar REL-i.

    Marrëveshja e as aneksi i lartpërmendur nuk janë nënshkruar, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.

    Në draftin e Raportit të Progresit thuhet se Serbia dhe Kosova duhet t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura përmes dialogut.

    Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm në bazë të asaj që ato zbatojnë, thekson draft-raporti, duke kujtuar se normalizimi mbetet kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja vendeve.

    Nga Serbia pritet t’i ndjekë autorët e sulmit në Banjskë

    Në draft-raport vlerësohet se gjatë periudhës që mbulon ai, ka pasur tensione të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

    Aty theksohet se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën vazhdon të ndikohet negativisht nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për t’i ndjekur përgjegjësit për sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë.

    Ky sulm, siç vlerësohet në raport, ishte “përshkallëzimi më i madh i viteve të fundit”.

    Sipas draft-dokumentit, BE-ja pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe t’i marrë masat e nevojshme për arrestimin dhe nxjerrjen e shpejtë para drejtësisë të autorëve të sulmit.

    Gjithashtu, konsiderohet se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës në prill të vitit 2023, ndikojnë keq në obligimet e Serbisë në dialog.

    Draft-raporti kritikon edhe veprimet e autoriteteve të Kosovës në zonat e banuara me shumicë serbe, si: ndalimin e përdorimit të valutave të tjera përveç euros, mbylljen e Postës së Kursimeve të Serbisë dhe mbylljen e zyrave të institucioneve tjera serbe.

    Vlerësohet se këto veprime janë në kundërshtim me zotimet e marra në dialog.

    Në draft-dokument thuhet se BE-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësime për mungesën e vazhdueshme të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ të veprimeve të saj te njerëzit në terren.

    Fatkeqësisht, thekson dokumenti, nuk është arritur të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme reciprokisht për njerëzit më të prekur nga këto veprime.

    Ngecje në reforma për shkak të zgjedhjeve të parakohshme

    Burimet e Radios Evropa e Lirë, të informuara për përmbajtjen e dokumentit, thonë se raporti i këtij viti thekson se zgjedhjet e parakohshme në Serbi dhe, për pasojë, ndërprerja e funksionimit të Qeverisë dhe Parlamentit “e kanë ngadalësuar progresin e reformave” në këtë vend.

    Sipas tyre, raporti thekson nevojën për vullnet të fortë politik, planifikim efikas dhe koordinim të planeve, si dhe burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që Serbia ta përshpejtojë punën në përmbushjen e objektivave në negociatat e anëtarësimit në BE.

    Autoriteteve serbe do t’u kërkohet, po ashtu, ta kenë prioritet komunikimin proaktiv dhe objektiv për procesin e pranimit të Serbisë në BE, si dhe shtypjen e dezinformatave në mediat kombëtare. /REL

    Nga Rubrika
    Lajme28 Tetor 2024
    Juristja e medias, Flutura Kusari, Flutura Kusari, ka njoftuar se ka daluar nga mbledhja e Bordit të RTK-së. Ajo përmes një postimi...
    Lajme28 Tetor 2024
    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se është hapur konkursi për fitimin e bursave për komunitetin rom, ashkali dhe...
    Lajme28 Tetor 2024
    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti në takim shefin e stafit të KFOR-it, gjeneral brigade Arthur Garffer....
    Të tjera
    Vip28 Tetor 2024
    Sara dhe  Mevlani kanë biseduar për dashurinë e ditëve të sotme. Sara tha se mendon që njerëzit dashurojnë derisa të vdesin, por...
    Bota/Rajoni28 Tetor 2024
    Të hënën në Shqipëri ka arritur një anije me 102 kontejnerë që dyshohet se kanë mbetje të rrezikshme. Kontejnerët me ngarkesë rreth...
    Bota/Rajoni28 Tetor 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar se të dilën do të qëndrojë në Selanik. Përmes një postimi në Facebook ka bërë...
    Lajme28 Tetor 2024
    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nesër do të mbajë konferencë për media. Në njoftim bëhet e ditur se...
    Lajme28 Tetor 2024
    Mallra të padeklaruara me vlerë mbi 40 mijë euro, të cilat po tentoheshin të futeshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë, janë kapur...
    Bota/Rajoni28 Tetor 2024
    Volkswagen i ka njoftuar përfaqësuesit e punëtorëve se dëshiron t’i mbyllë të paktën tri fabrika në Gjermani, tha të hënën kryetarja e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.